Bajerni i Mynihut fillon “të vrasë” Bundesligën. Bavarezët kanë fituar në Dordmund, klasiken me Borusian, me rezultatin 1-3, duke u shkëputur 6 pikë nga verdh e zinjtë, që kanë “rrëshqitur” në vendin e tretë, pasi Lajpcig fitoi sërish dhe renditet i dyti.
Në Dordmun u luajt futboll i hapur, por efekti Hejkens i bëri bavarezët më efikasë para porte. Arjen Roben çeli serinë e golave me një goditje tipike me hark, brenda zonës. Borusia përpiqet të barazojë por portieri i Bajernit, Ulraish, në dy raste tregoi se të jesh zëvendësi i Nojerit, do të thotë ta konkurosh me sa mundesh atë, kur të të jepet rasti.
Der Klasiker ishte dhe një përballje mes golashënuesve Levandovski dhe Aubamejang, me polakun e Bajernit që mezi e “gëlltiti” faktin që një sezon më parë u rendit i dyti, në kampionat, me 1 gol më pak se gabonezi. Në fakt Aubamejang thuajse nuk egzistonte në fushë, ndërsa Levandovski shënoi me finte një top që u prek pak dhe nga mbrojtësi. Me intensitet u zhvillua edhe pjesa e dytë, por sërish bavarezët tregohen më të saktë, kur një kros i Alabas, e një përpjekje për devijim e Levandovskit, mjaftojnë, për të mashtruar portierin Burki, që pa topin për herë të 3-të në rrjetë.
Pas një serie ndërrimesh, Dordmundi gjen golin me mbrojtësin spanjoll Bartra. Por minutat nuk premtuan më dhe ndeshja u mbyll pa gola të tjerë. Se ç’u bën Hejkens lojtarëve pakkush mund ta dijë, por me “Plakushin” në stol, bavarezët kanë 4 fitore radhazi në Bundesligë, 2 në Champions League dhe 1 në Kupën e Gjermanisë. /tesheshi.com/