Nga Bardha Nergjoni
Sporti natyrshëm trashëgohet brez pas brezi, por një familje që ushtron sportin me të gjithë pjesëtarët e saj është rast unik në Shqipëri, pse jo edhe më tej. Familja Backa në Elbasan. edhe pse i ka traditë sportet, karatenë e ka nisur rreth 22 vjet më parë. Ky sport i ri që nuk kishte praktikues, u kthye shpejt në motiv jete për Mirandin i cili korri sukseset e tij dhe këtë sport e përcolli tek të gjithë anëtarët e familjes madje edhe tek bashkëshortja. Ata janë shembull suksesi me shumë tituj e medalje, shembull sjelljeje dhe përkushtimi.
5 sportistët e familjes Backa kanë objektivat e tyre dhe çdo vit konkurojnë në gara kombëtare e ndërkombëtare duke koleksionuar sukseset e radhës. 217 medalje tregojnë rezultatet e sfidat e karateistëve Backa prej 22 vitesh. Ata tashmë nuk janë thjesht sportistë por një shembull se si sporti mund të kthehet në mënyrë të jetuari për të gjithë familjen. Mirandi, karateisti i parë, ka rolet më të vështira, atë të babait dhe të trajnerit, role të cilat mundohet t’i ndajë me shumë kujdes që ekujlibri të jetë konstant si në shtëpi ashtu dhe në palestër. Me rezultatet dhe shembullin e saj, familja Backa do të jetë pjesë e enciklopedisë së sportit shqiptar duke krijuar kështu dinastinë e karatesë edhe në Shqipëri. Në një intervistë për tesheshi.com, Mirandi tregon eksperiencën e tij, familjen e karatesë dhe sfidat e të ardhmes.
Mirandi, ju jeni angazhuar qysh herët me sportin e karatesë por në fakt keni mbaruar arsimin në frengjisht. Si lindi idea për tu marrë me sportin e karatesë?
Familja jonë është marrë historikisht me sport. Babai im, Rexhep Backa me xhaxhallarët e mi kanë qenë shumë të apasionuar me sportet e atletikës dhe futbollit. Vëllai im i madh, Arbeni ka praktikuar 10 vjet sportin e atletikës duke u shpallur edhe kampion kombëtar në vitin 1991 për garën e mesme 1500 metra me të rinjtë, ndërsa unë kam qenë 6 vjet në klasën sportive të futbollit në shkollën 8-të vjeçare ”Qemal Stafa”. Që i vogël kam qenë shumë i aftë në mundje (luftimin trup me trup). Fillimet e mia amatoreske me arte marciale kanë qenë andej nga viti 1992/93 duke provuar pak nga të gjitha; Taekwondo, Kung Fu, Nunchaku … disa muaj Kick-Boxing në fillim të 1994 dhe në sportin e karatesë startoj nga fundi i vitit 1994, i frymëzuar nga filmat me aksion, sidomos ato të aktorit të famshëm Jackie Chan, duke u kthyer kështu pa e kuptuar në stil jete.
Arsye tjetër ka qenë edhe të qenurit i veçantë, jo për t’i ngacmuar të tjerët, por të qenurit i barabartë në një shoqëri të paparabartë, agresive dhe violente midis dy periudhave tranzicionale të vendit tonë 1990 dhe 1997. Veç formimit tim në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në lidhje me mbarimin e frengjishtes në universitetin Aleksandër Xhuvani (Elbasan) mund të them me plot gojën se më ka vyer shumë në formimin tim për sportin e karatesë sepse kam përfituar prej materialeve të shumta nga Franca e cila është pikë referimi për karatenë moderne ngaqë prej dekadash ka nxjerrë kampionë të mëdhenj me famë botërore dhe ka rol të rëndësishëm në politikat e këtij sporti. Nga data 8 – 14 maj 2016 do jem në Paris – Francë si i përzgjedhur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në Edicionin e 1-rë të « Formimit të Trajnerëve Frankofonë të Nivelit të Lartë »
Çfarë përparësish ka sporti i karatesë sipas jush?
Karateja të disiplinon duke të mësuar përulësinë, durimin, vlerat dhe respektin. Gjithçka në karate fillon dhe mbaron me respekt, duke filluar nga përshëndetja që bëjmë në arenë ndaj kundërshtarit, forca është respekt dhe anasjelltas. Ai që praktikon karate ka një mendje të shëndoshë, në një trup të shëndoshë, që do të thotë se nuk ke vetëm duart plot por edhe kokën me një progres të mirë fizik dhe mendor. Urtësi që ndihmon në përballimin e problematikave, mësimin e zotërimit të emocioneve duke menaxhuar situatat jo vetëm në fushën e lojës por edhe në jetën e përditshme. Mos harrojmë edhe argëtimin, por edhe filmat me aksion bëjnë punën e tyre me motivimin për të qenë hero.
Prej shumë vitesh merreni me sportin e karatesë në nivel profesional madje do të beheni pjesë edhe të enciklopedisë së sportit shqiptar. Si kanë ardhur rezultatet?
Gjashtë vitet e para kanë qenë të vështira, më pas u mësova t’ia dal. Ndjesia ka qenë shumë pozitive dhe e pabesueshme që po realizoja një prej ëndërrave të mia, dhe nuk e prisja që të arrija këtu ku jam sot dhe për këtë falenderoj Zotin. Ndër vite kam nxjerrë 15 trajnerë karateje të cilët sot kanë ekipet e tyre nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, gjithashtu kemi fituar me sportistët e tanë rreth 2500 medalje nëpër aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi shumë kontakte dhe binjakëzime me partnerët tanë brenda dhe jashtë vendit, ekseprienca të shumta me ish kampionë botërorë dhe Evropianë.
Kam titullin Mjeshtër i Brezit të Zi (5 DAN), dhe jam Kampion i shumëfishtë Kombëtar dhe Ndërkombëtar (1999 – 2014) si dhe Trajner i Kombëtares Shqiptare nga viti 2000 – 2015. Gjithashtu kam qenë anëtar i Komitetit Drejtues në Federatën Shqiptare të Karatesë, anëtar i Këshillit Teknik të F.SH.K-së, dhe gjyqtar. Prej 15 vjetësh rresht organizojmë Turneun ”Elbasani Open”, ku marrin pjesë ekipe të shumta jo vetëm nga Shqipëria, por edhe rajoni. Aktualisht jam Sekretar i Përgjithshëm I Klubit Shumësportesh Elbasan në Bashkinë e Elbasanit.
Faktikisht shkak që u kontaktuam nga autori i “Enciklopedisë së Sportit Shqiptar” ka qenë intervista e familjes tonë në emisionin e televizionit prestigjioz. Me besim, shumë punë dhe shumë durim arrihet shumë …!
Bashkëshortja dhe fëmijët ndjekin rrugën tuaj. Ishte diçka normale angazhimi i tyre në këtë sport apo ishte më shumë nxitja jote?
Familja jonë përpiqet të jetë si një trup i vetëm. Angazhimi i tyre me këtë sport është sa normal aq edhe nxitja ime personale! Fakti që ne praktikojmë të gjithë karate në familje n’a bën të ndihemi sa më komod sepse mbështesim njëri-tjetrin për të rezistuar dhe përparuar. Bashkëshortja ime Alketa ka dashur t’a mësojë këtë sport që në vajzëri por nuk kishte kushte të përshtatshme në atë kohë, kur u fejuam provoi pak, por bumin e madh e realizoi para katër vjetëve dhe tani ka nivelin e Brezit Kaf (1-Kyu) dmth kandidate për titullin Mjeshtëre e Brezit të zi (1-Dan), kjo sepse Keta ka dashur të përjetojë personalisht pak a shumë ndjesitë që kam kaluar unë dhe po kalojnë fëmijët e mi në palestër dhe në kompeticione (gara). Tre fëmijët tanë falë Zotit janë shumë të talentuar me trupa elegantë fizikë prej atletësh tipikë; Fëmija ynë i madh Abdullahi që mbush 13 vjeç mbas një muaji është Mjeshtër i Brezit të Zi (1-Dan) dhe e ka filluar karatenë para 11 vjetëve në moshën 2 vjeçare, Xhejdah 9-të vjeçare është Bre Brezit Kaf (1-Kyu) dmth kandidate për titullin Mjeshtëre e Brezit të Zi (1-Dan), dhe vajza tjetër e vogël Isra 5 vjeçe (mbas dy muajsh) është Brezi i Bardhë (9-Kyu). Kupat, medaljet dhe çertifikatat e tyre janë të shumta që tani në fëmijëri. Gjithashtu, vëllai im Arbeni është Mjeshtër i Brezit të Zi dhe fëmijët e tij Rejana dhe Sejidi janë Breza Kaf dhe medalistë. Ky stan këtë bulmet ka.
Ju veçse merreni me sportin e karatesë, jeni një familje praktikante e besimit islam. Sa ka ndikuar besimi në stërvitjen dhe rezultatet që keni arritur?
Besimi është gjëja më me vlerë që kemi. Feja dhe sporti kanë shumë të përbashkëta si psh; mbajtien larg veseve të këqia si alkooli, duhani, droga etj, transmetimin e vlerave fondamentale si respekti, ndershmëria dhe besnikëria. Është kodi i nderit të fesë dhe karatesë që perceptohen shpejt duke praktikuar. Në përgjithësi sportistët anembanë botës besojnë në Zot dhe e demonstrojnë atë publikisht në rastet e triumfit të tyre sipas besimit përkatës që kanë duke ngritur gishtin se Zoti është një në shenjë falenderimi për suksesin, ose duke u përkulur me ballin në tokë, spo bërjen e kryqit etj …!
Ne lutemi gjithmonë përpara garave dhe kjo gjë n’a ndihmon shumë në përballimin e tensionit. Sportisti duhet të formohet paralelisht si në aspektin trupor, ashtu edhe atë mendor, pa neglizhuar aspektin shpirtëror. Një karatekas nuk humb kurrë; ai herë fiton dhe herë mëson … fundja fundit si të jetë shkruar nga Zoti (s’ke ç’i bën). Shikoni shembullin e boksierit legjendar të famshmit Muhamed Ali dhe të tjerëve të ngjashëm si ai dhe do e kuptoni se ç’po them!
Është rast unik në vend që një familje sportistësh ka kaq shumë medalje. Sa mendoni se do arrini në këtë sport?
Kështu siç e kemi nisur, inshallah në të ardhmen në vend që t’i numërojmë medaljet kemi për t’i peshuar ato. Deri tani numri i medaljeve personale në të dyja disiplinat Demonstrime (Kata) dhe Ndeshje (Kumite) që unë kam fituar me djalin dhe vajzën time arrin në 217; konkretish 135 Ari, 49 Argjendi dhe 33 Bronzi, dmth 184 herë finalistë.
Unë kam fituar 83 medalje; 36 Ari, 30 Argjendi dhe 17 Bronzi. Abdullahi ka fituar 91 medalje; 67 Ari, 14 Argjendi dhe 10 Bronzi. Xhejdah ka fituar 43 medalje; 32 Ari, 5 Argjendi dhe 6 Bronzi.
Qëllimi kryesor i Dinastisë Backa është marrja me diçka të dobishme për patjen e një jete aktive për çlirimin e energjive negative dhe përfitimive të tjera që i’a vlen.
Për Abdullahin përmendim disa trofe;
- Kampion i dyfishtë Botëror për Ndeshje (Kumite WKF & Shobu Ippon) dhe Nënkampion Bote për Kata (Demonstrime) në “Kupën e Botës” në WSKU (Ëorld Shotokan Karate Union) për 2014.
- Kampion i 3-fishtë i Evropës për Ndeshje (Kumite ËKF & Shobu Ippon) në 2013 dhe 2014 në Kampionatët Evropiane të Karatesë ËSKU. Gjithashtu medalje Bronzi për Demonstrime (Kata).
- Nënkampion Ballkani ËKF për Ndeshje në Stamboll të Turqisë 2014.
- Medalje Bronzi ËKF për Ndeshje në Herceg-Novi të Malit të Zi 2015.
- Kampion i 14-të fishtë Kombëtar për Fëmijët që nga viti 2009 në Federatën Shqiptare të Karatesë për “Demonstrime” dhe “Ndeshje”.
- Sportisti më i Mirë në “Kupën e Republikës të Karatesë Shqiptare 2014” organizuar nga Federata shqiptare e Karatesë.
- Sportisti më i Mirë në Turne të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dheTurqi.
Për këtë sport aktualisht nuk ka konkurentë të tjerë që të mund t’i përngjasojnë Abdit në Shqipëri, a rajon.
Ndërsa për Xhejdën përmendim;
- Kampione e trefishtë Botërore për Ndeshje (Kumite WKF & Shobu Ippon) në “Kupën e Botës” në ËSKU (world Shotokan Karate Union) për 2014.
- Kampione e 3-fishtë i Evropës për Ndeshje (Kumite WKF & Shobu Ippon) në 2014 në Kampionatin Evropian të Karatesë WSKU në 2014.
- Kampione e 5-fishtë Kombëtare për Fëmijët që nga viti 20 në Federatën Shqiptare të Karatesë.
Cilat janë veçoritë e secilit sportist Backa dhe kanë secili objektiva që kërkojnë ti arrijnë?
Jemi të kënaqur me ta. Unë nëpërmjet tyre po realizoj ato që nuk kam arritur t’i realizoj vetë (për arsye nga më të ndryshmet). Ata aq sa duhen edhe zihen me njëri-tjetrin për faktin se janë bashkë jo vetëm në palestër por edhe në familje. Megjithëse i kam fëmijët e mi, në palestër i trajtoj si sportistë, madje duke qenë edhe më i ashpër se me të tjerët. Që të tre fëmijët janë të destinuar për këtë sport dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët e tyre të ekipit ku stërviten pasi edhe ata kanë meritë për rezultatet sepse kanë punuar bashkë dhe kanë nivel të lartë sportiv. Ndonëse të bukur siç janë fëmijët në përgjithësi, ata shndërrohen në luftëtarë kur përballen me kundërshtarët/et e tyre.
Abdullahi tashmë logjikon dhe e sheh karatenë në aspektin e konkurrencës duke e parë sa më seriozisht këtë çështje, ai është kërkues dhe dëgjues i mirë, di se ç’bën kur i flasin. Perspektiva është shpallja si Kampion Olimpik, Bote dhe Evrope.
Xhejdah nuk e njeh frikën, ajo kërkon t’i ngjajë vëllait të saj Abdit i cili është katër vjet më i madh duke ecur në hapat e tij. Megjithëse është akoma herët që t’a marrë seriozisht si i vëllai, por është shumë premtuese për të ardhmen.
Isra e vockël e sheh karatenë si lojë duke u argëtuar, por që ka premisa të mëdha për t’u bërë kampione e madhe.
Cilat janë planet e familjes Backa për të ardhmen?
Dihet që të kapësh majën është vështirë, por më vështirë është qëndrimi sa më gjatë në majë. Uroj që kjo traditë familjare të vazhdojë edhe në të ardhmen, karate për ne është jetë. “Nuk ka rëndësi fitorja apo humbja, por perfeksioni i karakterit tonë, rëndësi ka që të rezistojmë sido që të jetë situata, brez pas brezi”. Praktikimi i arteve marciale ështe një shkollë e shkëlqyer jete. Rol shumë të rëndësishëm ka edhe sponsorizimi të cilin deri tani e kemi mbuluar vetë me shpenzimet tona.
Shqiptarët ndoshta nuk munden që t’a konkurojnë botën në fusha të ndryshme si; shkencë, mjekësi, teknologji, politikë etj, por në sport munden, kështu që shpresojmë për një përfaqësim sa më dinjitoz të vendit tonë në arenat ndërkombëtare. /tesheshi.com/