Një reagim i ashpër ndaj rezolutës së Parlamentit Europian për ngjarjet e 1915-s ka ardhur sot edhe nga Azerbajxhani. Ali Hasanov, ndihmësi për çështje publike dhe politike i presidentit të Azerbajxhanit, tha sot se adoptimi i një rezolute nga Parlamenti Europian që i nxit të gjitha shtetet anëtare t’i njohin ngjarjet e 1915-s si “gjenocid” është “një vendim i padrejtë, politik, që nuk pasqyron faktet, dhe u shërben axhendave të veçanta”.
Gjithnjë sipas ndihmësit të presidentit të Azerbajxhanit, adoptimi i rezolutës është reflektim i standardeve të dyfishta dhe i qëndrimit antiislam të organizatave ndërkombëtare të ngritura nën udhëheqjen e Perëndimit.
“Vendimi i PE-së mbi incidentet e 1915-s është vendimi politik më i përbuzshëm i Europës, që ka manipuluar faktet nga Lufta e Parë Botërore, nuk reflekton ndonjë realitet, dhe u shërben axhendave të veçanta,” theksoi Ali Hasanov.
Ai vijoi më tej, duke thënë se faktet historike i hedhin poshtë pretendimet për gjenocid, dhe se gjatë ngjarjeve shumë grupe armene janë armatosur dhe janë ngritur kundër ushtrisë otomane, kanë sulmuar civilë e kanë vrarë shumë njerëz në qytete dhe fshatra.
Çështja e përdorimit të termit “gjenocid” për ngjarjet e 1915-s është bërë prej ditësh pjesë e debateve që i kanë kaluar kufijtë e Turqisë dhe të Armenisë, e është kthyer në mollë sherri mes shteteve e institucioneve të ndryshme. /tesheshi.com/