Shtatorja e Azem Hajdarit, ish-deputet i PD-së i vrarë në vitin 1998, u përurua sot në Tropojë, qytetin e tij të lindjes.
Gjatë ceremonisë ishin të pranishëm kreu i PD, Lulzim Basha, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, ish-lideri i PD, Sali Berisha dhe të afërm të familjes Hajdari.
Në fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha vlerësoi figurën e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.
Ish-kryeministri Berisha tha se një vello e narkotikëve ka mbuluar Shqipërinë dhe duhet të luftojmë për të mposhtur këtë të keqe dhe për bërë realitet ëndrrën europiane të Azem Hajdarit.
“Azem Hajdari jeton dhe do jetojë në idealin e lirisë, në ëndrrën e bukur të çdo shqiptari. Sot ai është një frymëzim sepse pas 27 vitesh nuk mund të mos mohojmë, një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë dhe kjo vello e zezë është vello e narkotikëve dhe bën shqiptarët që mos vendosin dot për fatin e tyre.
Sot jemi këtu më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari, për tu ndarë nga kjo e keqe dhe nga çdo e keqe tjetër.
Shqipëria europiane ishte ëndrra e Azem Hajdarit, të luftojmë bashkë për ta bërë atë realitet sa më shpejt”, u shpreh Berisha.
Ceremoninë e hapi kryebashkiaku i Tropojës, Besnik Dushaj. “Djalin tonë të bukur e përcollëm të ri, dhe na u kthye në bronx. Azem, ti je gjallë dhe faleminderit që na dha mundësitë të ëndërrojmë”./tesheshi.com/