Nga Shkëlzen Rrecaj
Jeta e sprovoi që t’u rreket disa profesioneve; që një e kishte për shpirt, kurse tjerat nga nevoja për të punuar dhe ndihmuar familjes. Është kritiku i parë i muzikës. Ka qenë edhe kompozitor i muzikës së lehtë dhe të fëmijëve, në viteve të 60-ta ka zënë vendin e parë me kompozime në Akordet e Kosovës; ka studiuar edhe Juridikun por vetëm për diplomë që të mos e largonin nga gazetaria; ka punuar edhe mësues, e zotëron katër gjuhë; është enigmati i parë shqiptar që ka bërë fjalëkryqin e parë në gjuhën shqipe; po ashtu është edhe problemisti i parë i shahut; ka shkruar dy libra, njëri me temë politike, kurse tjetri është roman me përmbajtje nga Kosova dhe Maqedonia; ka punuar edhe si zdrukthëtar ku edhe sot e kalon kohën e lirë duke gdhendur për dëshirën e vet. Edhe politika ka qenë pjesë e jetës së tij. Ka qenë një ndër themeluesit e parë të NDSH-së (Nacional Demokratik Shqiptar). Ka dhe më: ka shërbyer edhe si imam në xhaminë e Llapit në Prishtinë. Ky është pra Rashid Krasniqi, personalitetin e rrallë të së cilit munda ta zbuloni më tej në një intervistë…
Jua solli jeta të jeni një poliglot profesionesh, apo karakteri juaj, dhuntitë?
Unë i di katër gjuhë, por për nga profesioni së pari kam qenë mësues, mandej arsimtar në gjimnaz në Prishtinë. Ajo që është më kryesorja, filloren e kam përfunduar kur ka qenë Kosova e bashkuar me Shqipërinë, gjatë kohës së Gjermanisë naziste, por çlirimtare për ne, sepse na bashkoi me Shqipërinë për herë të para pas 30 vjet robëri, krajli iku e Shqipëri u bëmë.
Katër vjet të shkollës fillore i përfundova me mësuesit e Elbasanit, pastaj gjimnazin dhe Fakultetin Juridik në Prishtinë. Nuk më është dashur asgjë Fakulteti Juridik, por kam dashur ta kem diplomën që të mos më largojnë nga gazetaria, sepse kam qenë i burgosur politik si NDSH-ist (Nacional Demokratik Shqiptar), që ishte vazhdimësi e Ballit Kombëtar.
Cila ka qenë ajo ëndërr e parë fëminore mbi profesionin në jetë?
Unë jam marr më shumë profesione, madje edhe me zdrukthëtari në burgun e Nishit. Sot bëj zdrukthëtari artistike, gdhendje të drurit, etj. Ëndrra ime assesi nuk ishte që të hyja në burg e të bëhem ndonjë udhëheqës apo diçka tjetër. Nuk kam patur ëndërr të posaçme, kështu që orientimi i im mbetet arti. Unë jam kompozitor i muzikës së lehtë dhe asaj të fëmijëve. Viteve të 60-ta kam zënë vendet e para me kompozime në Akordet e Kosovës. Gjithashtu kam shkruar dy libra, njëri me temë politike, kurse tjetri është roman me përmbajtje nga Kosova dhe Maqedonia. Jam i kënaqur që me 84 vite nuk kam asnjë sëmundje dhe i falënderohem Zotit që kryet akoma më punon mirë.
Cili ishte më pas profesioni i parë që ushtrove, pra ai me të cilin u paguat me rrogë për herë të parë?
Profesioni i parë që ushtrova ishte mësues dhe për herë të parë jam paguar me rrogë. Ishin 28 mësues dhe asnjë nuk e kishte shkollën e mesme të kryer, ndërsa unë isha me gjimnaz dhe dallohesha në muzikë dhe matematikë. Kështu që këto dy lëndë i kam dhënë edhe në gjimnazin e Prishtinës.
Ç’është ajo gjë që keni dashur ta bëni, por që nuk ia keni arritur dot dhe kjo ka bërë mos jetë në top-listën e profesioneve tuaja?
Në përgjithësi atë që e kam dëshiruar edhe e kam bërë. Kam bërë gjëra që nuk i ka bërë askush në Kosovë. Fjala bie, jam enigmat i parë. Fjalëkryqin e parë ndër shqiptarët e botës unë e kam bërë. E kam botuar për herë të parë në vitin 1953 në gazetën Rilindja, ndërsa në Shqipëri në 72-tën ka dalë në gazeta. Jam po ashtu problemisti i parë i Kosovës, problemist i shahut, le të kuptohemi jo shahist, d.t.th. të sajohen dhe kompozohen “probleme” që duhesh t’i japësh mat të ziut, por paraprakisht janë disa ‘mashtrime’… dhe nga nuk ta merr mendja është zgjidhja. Siç ju thashë jam enigmati i parë, kompozitori i parë që kam fituar shpërblime, problemisti i parë, jam kritiku i parë i muzikës jo më pak se dy dekada.
Thonë që keni shërbyer dhe si imam xhamie dikur. Është e vërtetë?
Po, është e vërtetë që kam shërbyer si imam në Xhaminë e Llapit. Kjo xhami quhet e Llapit, sepse në Llap nuk ka pasur xhami dhe të gjithë llapjanët kanë ardhur për ta falur xhumanë dhe bajramet aty, kështu që ka mbetur emri Xhamia e Llapit e cila është ndërtuar nga materiali i tepruar nga Xhamia e Mehmet Fatihut ose siç e njohim Xhamia e Madhe e Prishtinës. Në këtë xhami ka shërbyer për 39 vite gjyshi im, ndërsa babai 41 vite. Pastaj e dogjën dhe ajo që ngeli ishte një odë dhe pas çlirimit ngaqë nuk kishte imam unë shërbeva aty për shtatë vite. Po ashtu kam kryer dy herë haxhin.
Thuhet se gjyshi i juaj, Mulla Rushë Krasniqi ishte i pari që mbajti ligjëratën e xhumasë në gjuhën shqipe. Si ka ndodhur?
Kjo ka ndodhur në vitin 1902 dhe siç e dimë Turqia ka vazhduar ta administrojë Kosovën deri më 1912. Siç thashë gjyshi im ka shërbyer si imam 39 vite. Ai ka qenë një njeri i mençur dhe pedant. Ai kur ka mbajtur ligjërata në xhuma dhe bajrame dhe tek ai kanë ardhur pleq e të rinj nga Llapi. Ligjeratat është dashur t’i mbante në gjuhën turke, ndërsa xhemati nuk e kuptonte pasi që të gjithë ishin nga fshati. Pasi e përfundonte hutben, besimtarët e pritnin në oborr e i thoshin hajde tash tregona çfarë ke thënë. Dhe ky një ditë mërzitet nga kjo gjendje. Në një moment ndalet e i thotë vetës “mos qofsha Rushë se pa shku në Stamboll nuk e lë”. Atëherë ka qenë vështirë për të udhëtuar për shkak se deri në Stamboll udhëtimi ka zgjatë dy muaj. Me tren ka shkuar deri në Shkup, e deri në Selanik nuk e di se me çka ka udhëtuar, ndërsa prej Selanikut deri në Stamboll ka shkuar me anije. Një javë është sjellë rreth pallatit të Sulltanit. Në atë kohë sulltan ka qenë Abdul-Hamidi II. Një gjë që është kryesore për kohën është se Bismarku e ka çmuar shumë Abdul-Hamidin e II për të cilin pati thënë: “Nëse bota ka 100 poena të diplomacisë, atëherë Abdul-Hamidi i ka 90 poena, 5 i kam unë dhe 5 i kanë të tjerët”. Këtë fakt mulla Rusha nuk e ka ditur. Mirëpo ai ka patur një koncept sesi t’i marrë leje për të ligjëruar në shqip. Sillet e sillet rreth pallatit të tij dhe pasi që bëhet i dyshimtë e kapin spiunët. Pasi e pyesin se prej nga kishte ardhur dhe përse sillej rreth pallatit, ai u shpjegon se kishte ardhur nga Rumelia për ta takuar Sulltanin përkitazi me një çështje, por po hezitonte ngaqë nuk e dinte se mos Sulltani ishte i zënë apo nuk do të mund ta pranonte.
Megjithatë atij ia mundësuan që ta takonte Sulltan Abdul-Hamidin II. Pastaj ai e pyet se çfarë halli e kishte sjellur këtu, hoxhë Rusha i thotë se kishte një hall të madh ngase i fliste xhematit, ndërsa ata nuk e kuptonin. Sulltani pastaj e pyet sesa xhemat kishte, ndërsa ky i thotë nja 500 veta. Pse nuk flet në gjuhën e tyre e kishte pyetur sulltani? Gjyshi im i përgjigjet se pikërisht për këtë kishte ardhur tek ai, që t’i jepte leje që t’u drejtohej atyre në gjuhën e popullit. Sulltan Abdul-Hamidi II i thotë qatipit që të shkruante: “Që prej sot hoxha do t’i mbajë ligjëratat në gjuhën e popullit, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë”. Pasi që vjen nga Stambolli filloi të ligjëronte në gjuhën shqipe, ndërsa xhemati i thoshte se mos e kishin lënë mendtë. Ky ua kthente se nuk e kishin lënë e as që do ta lenin mendtë. Pasi e kuptojnë që hoxha po fliste shqip, i vijnë xhandarët që ta arrestonin duke e akuzuar se po bënte krim. Mulla Rusha u shpjegoi se nuk fliste turqisht pasi që xhemati nuk e kuptonte. Pastaj ua tregoi letrën e Sulltanit me vulë. Më pas e lanë të qetë.
Ju keni filluar të punoni dhe si gazetar, aty nga viti 1951, pra këtë profesionin tonë. Si ju duket kjo gazetaria e sotme?
Më lejoni të bëj një sqarim. Nga viti 1959 kam punuar si gazetar i rregullt, ndërsa nga viti 1951 kam dërguar fjalëkryqin e parë në gazetën Rilindja. Më pas punova siç ju thashë si profesor, pastaj më burgosën dhe pas daljes nga burgu kam punuar si përpilues i fjalëkryqeve, gazetar i radio programit dhe teknikës. Tri faqe të gazetës i kam mbajtur vetëm unë. Gazetaria e atëhershme nuk ka mundur të jetë ajo që duhet të ishte, për shkak të presionit të serbëve në atë kohë. Artikujt janë lexuar jo vetëm prej redaktorëve, por edhe nga vetë drejtori.
Kam punuar në një zyrë me Ukshin Hotin, i cili ka qenë redaktor i lajmeve të jashtme. Ukishinit ia lanë një fejton të një udhëheqësi i lartë serb lidhur me Konferendën e Bujanit. Unë e mora atë dokument dhe sot e kësaj dite e ruaj në shtëpi. Ju tregoj arsyen pse e mora. Imer Pula ka thënë që të mos votohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Për arsye se në Bujan jemi marrë vesh që pas luftës të pyetet populli, o me Jugosllavi, o me Shqipëri. Këtë Imer Pula ma ka hequr dhe unë ashtu kam patur të lë punën. Kështu që e vodha fejtonin dhe nuk e lash të dalë ashtu. D.m.th kemi patur mbi kokë kontrolle, sekuestrime, presione, etj. Sot gazetaria është e lirë. Sot ka shumë gazeta e portale, por uroj të mos jenë për lumë. Më mirë pak e saktë se shumë e për lumë.
Ju jeni edhe kompozitor, e prej pentagrameve t’ua ka dalë dhe një ndër këngët më të njohura, “Mallëngjim” interpetuar nga Muharrem Qena. Si është historia e kësaj kënge?
Krenar është vetëm Allahu. Njerëzit nuk mund të jenë krenar. Mund të jesh krenar për një gjë sot, ndërsa nesër bën një gabim dhe njerëzia të thonë shikoje këtë budallanë. Muslimani nuk duhet që t’i përkulet askujt tjetër pos Zotit. E ai që i përkulet dikujt tjetër është i dobët. Secili njeri e ka dinjitetin e vet, unin e vet. E tash unë nuk krenohem që kam qenë i pari në atë kohë, jam kompozitor i thjeshtë. Sa isha në burg e kompozova një operetë. Serbët u çmendën duke na thënë se ju po këngë me çifteli, nuk dini gjë tjetër. Muzikën se kam dashur që duhet me fituar as që e kam ditë që mundem me fituar çmime në akordet e Kosovës, edhe këtë “Mallëngjimi o vendi im”, sot që këndohet gjithë kund. Më vjen mirë dhe më ka gëzuar pa masë këngëtarja jonë operistike Flaka Goranci.
Ajo e ka përfshirë në këngët e muzikës serioze këtë këngë dhe e ka bërë diskun. Nder edhe më të madh ndoshta më ka bërë filarmonia e Kosovës e cila futi “Mallëngjimin” në repertuarin e saj të muzikës serioze. Historia e kësaj kënge është shumë e interesante. Nuk kisha një vit që isha martuar dhe melodia më erdhi natën vonë. I them gruas të zgjohet dhe të sillte lapsin dhe fletoren e notave. Gruaja thoshte se hajt medet me kënd qenkam martuar. Se mos isha çmendur në mes të natës. Ajo nuk mundi ta gjente lapsin dhe fletoren, kështu që disi e gjeta një laps, i vizatova në murë pesë vija dhe e kompozova melodinë. E kam shënuar në mur këngën që këndohet akoma dhe sot.
Ju keni qenë pjesëmarrës në festivalin “Akordet e Kosovës”, por nuk u shpërblyet. A mund të na tregoni pse?
Në ‘Akorde’ jam shpërblyer, por kur ka qenë konkurs i fshehtë. Votimi bëhej me një zarf të madh në të cilin e fusnin kompozimin me nota, ndërsa në një zarf të vogël adresën se kush është. Ama ai kompozimi shkonte me një shifër. Në atë kohë ishte Rexho Mulliqi, të cilit i pëlqeu kënga, por këtë ma vonë nuk ma pranuan pasi që erdhën në udhëheqje disa që ishin katolikë, të cilët thanë se Rashidi nuk merr vesh nga muzika, se s’ka ç’na duhet, se nuk ka studiuar për muzikë, etj. Dy vite (60 – 61) votimi ka qenë i fshehtë, mandej e kthyen haptas e më nuk mora pjesë, pasi që çmimet ua ndanin njeri-tjetrit. Turp u qoftë që u kam çuar “Mallëngjimin” dhe nuk ma kanë dashur.
Nuk keni shpëtuar pa u marrë as me politikë. Keni qenë një ndër themeluesit e partisë së parë në Kosovë, asaj Nacional Demokratike Shqiptare. Ç’kujtoni nga ajo kohë dhe si ju duket politika sot?
Në 49-shin, 14 vjet para Adem Demaçit, e kemi themeluar lëvizjen e parë ilegale, Partinë Nacional Demokratike Shqiptare. Kemi qenë shembull për ketë anë. Podujeva e formoi 6 muaj pas nesh. Ne pasqyrë e kemi pasur themeluesin Halim Spahia. Ajo lëvizje ka qenë gjithë popullore. Populli ka qenë ballist, nuk ka qenë i gjithë populli partizan komunistë. Gënjejnë këta komunistët dhe rrënjët duhet ditur se i kanë pasur te sllavët. Na kanë marrë në qafë për 50 vite duke ia falë Kosovën, Jugosllavisë. Atëherë politika ka qenë ilegale dhe armiku më i madh i shqiptarëve ngelet Tito, i cili për të na shtypur me shumë diplomaci. Ai e bëri Mamushën me turq. Kurrë nuk ka pasur turq Krasniqë, Gashë, etj. në Mamushë.
Sa prej atyre profesioneve, apo dhe pasioneve që keni ushtruar përgjatë viteve, vijoni t’i ushtroni ende?
Nuk merrem më me muzikë, vetëm e dëgjoj. Deri para dy-tri vitesh jam marr edhe me zdrukthëtari, por fatkeqësisht dita-ditës edhe ajo po më humb. Tani kam një oborr të madh. Kujdesem për kopshtin, pemët, etj.
Cilin keni dashuruar më tepër, cili u ka dhënë më shumë sadisfaksion?
Muzikën e kam pasur hobi, profesion të shpirtit. Mua ma ka shfaqur engjëlli im melodinë në mend, tekstin e kam bërë unë. Juridikun e kam përfunduar vetëm që mos t’më largojnë nga puna.
Po enigmat, si u bëtë i tillë?
Enigmat jam bërë para se të hyja në burg. Qysh si 15 vjeç e blija gazetën argëtuese në gjuhën serbe. Kishte gjëra interesante, fjalëkryqe, enigma, etj. Thashë, përse nuk provoj ta bëj një në shqip. Më thonin se është zor të bësh fjalëkryq në shqip, por për mua nuk ishte ashtu. Siç ju thashë në vitin 1953 e bëra fjalëkryqin e parë në gjuhën shqipe, të cilën ma botoi Rilindja. Mandej mjeshtër i problemeve të shahut u bëra në burg të Prishtinës më 1956.
Kur shihni pas jetën tuaj, do dëshironit të kishit po atë që keni jetuar apo diç tjetër?
Jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë jetë që ma ka dhuruar Zoti. Duke falënderuar Zotin kam shpëtuar nga pesë rreziqe që i kam pasur në jetë, gjatë kohëve më të vështira. Kam kaluar një jetë si është më së miri edhe pse kam lindur gjatë kohës së Serbisë. Jam formuar gjatë kësaj kohe dhe shoqërinë e kam patur të mirë. Të gjithë ishin antikomunistë.
Cilat janë meraqet e jetës, pengjet e saj?
Merak më të madh se ta shoh shtetin duke funksionuar si duhet nuk kam. Kjo ngaqë jam marrë vetë me politikë. Mbase do të vdes e nuk do të shohë drejtësi në vendin tim. S’ka më vështirë se kur merr lajmin si një fëmijë e ka kafshuar qeni duke kërkuar bukën në kontenjerë. Kosova nën tokë ka pasuri të madhe, por mbi të i kemi hajnat. Ideali im ka qenë ta shoh Kosovën e vogël të bashkuar me Shqipërinë.
Tek personaliteti njerëzor, i besoni më tepër dhuntive apo punës këmbëngulëse?
Zoti ta falë talentin dhe unë i besoj talentit. Kam bërë drugdhendje që nuk ka bërë askush, por i kam bërë për vete e jo për të tjerët. Talenti është 20-30%, pjesa tjetër është punë.
Ju vetë, keni qenë “produkt” dhuntish, pasionesh, apo stërmundimesh, për të qenë shumëkushi ose dikushi në shumë gjëra?
Nuk mund të them që jam dikush në shumë gjera. Kam patur predispozita për të bërë shumë gjëra. Më tepër jam i lumtur që vetë i kam bërë. Njeriun e kënaqë më së shumti kur veprës së tij ia sheh hajrin shoqëria. Kjo vlen edhe për mua. /tesheshi.com/