Naser Raufi, avokati mbrojtës i disa prej të arrestuarve të përlasjes së rëndë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë deklaroi se ata po keqtrajtohen në burgjet maqedone.
Ai ka vizituar sot në burgun e Prilepit, Andi Krasniqin- Malishevën dhe Demë Shehun-Junikun. Pas daljes ai u shpreh I tmerruar nga ajo çfarë pa.
“Janë në kushte mizore. Posaçërisht keq po trajtohet Andi Krasniqi-Malisheva, të cilin e kanë vendosur në izolim, qeli ku vendosen ata që torturohen për të nxjerrë diçka ose ata që ndëshkohen për ndonjë faj. E trajtojnë si qen. E takova sot dhe më tha :do të çmendem. Raufi thekson se përveç keqtrajtimit nga organet e burgut edhe gjendja shëndetësore e dy të arrestuarve është shumë e rëndë. Sipas Raufit, arsyetimi për transferimin e tyre në burgun e Prilepit është i pabazuar.
“Andi Krasniqi është me bronkit, kurse Demë Shehu ka astmën. I kanë sjellë në burgun e Prilepit me pretekst se në burgun e Shutkës nuk ka vend. Mirëpo vendosja e Krasniqit në izolim paraqet shkelje të prezumcionit të pafajësisë. Në kushte të tilla vendosen ata që bëjnë ndonjë incident, gabim, ose shkelin rendin e burgut, kurse Krasniqi nuk ka bë diçka të tillë pas arrestimit”, sqaron Raufi.
Në mesin e fajtorëve kryesorë për keqtrajtimin e të arrestuarve në aksionin e Kumanovës, Raufi përmend ministrin e drejtësisë Adnan Jasharin dhe Avokatin e Popullit, Ixhet Mehmeti. Ai paralajmëron se zyrtarisht do të ankohet deri te këto institucione, mirëpo nuk është optimist se reagimi do të ketë ndonjë efekt, pasi siç vlerëson “ata dy nuk e kryejnë punën e tyre”.
“Do të duhet të ankohem menjëherë te Avokati i Popullit dhe te Ministri i Drejtësisë, por çka të reagosh, kur është si të reagosh në vesh të shurdhër. Nuk e kryejnë punën e tyre këta dy. Ministri është kompetent për burgjet, avokati i popullit është për të drejtat e njeriut. Mirëpo nuk ka hajr as prej njërit, as prej tjetrit. Kemi reaguar edhe më herët, por nuk ka pasur efekt”, thotë Raufi i revoltuar.
/tesheshi.com/