Intervistoi: Memedali Jusufi
Gjendja me të drejtat dhe liritë e njeriut në Maqedoni është shumë brengosëse. Nga dita në ditë vështirësohet edhe më tepër, ku pa e tepruar mund të thuhet se Maqedonia mund të shpallet kampione e Evropës në këtë fushë.
Rasti i “Kumanovës” ku u përleshën forcat e sigurisë së Maqedonisë me një grup të armatosur shqiptar, rezultoi me shumë të vrarë dhe të plagosur. Ixhet Mehmeti, Avokat i Popullit, thotë se për herë të parë në jetën e tij i ndodhi që dikush t`i përgjigjet në atë formë brutale, siç kishin vepruar drejtuesit e burgut të Shutkës në Shkup, të cilët i kishin thënë se e dinë që Avokati i Popullit vepron në përputhje me ligjin, por që kanë direktiva nga lart që ta pengojnë në ushtrimin e detyrës.
Në një intervistë dhënë portalit ‘tesheshi.com’, z. Mehmeti flet për këtë situatë të rëndë që po kalon vendi…
Z. Memeti, çfarë po ndodh aktualisht në Maqedoni me të drejtat më elementare të njeriut?
Janë vërejtur shkelje të mëdha të të drejtave dhe lirive të njeriut, duke filluar nga administrata publike, gjykata, policia dhe shumë institucione tjera. Sa i përket administratës publike, numri i ankesave gjithnjë shkon në rritje pasi që administrata dukshëm është jo efikase, e politizuar dhe shumë e dobët në punën e saj. Me 20 përqind është rritur numri i ankesave në fushën e Jurisprudencës, ku shqetësues është perceptimi i qytetarëve se vendimet gjyqësore miratohen edhe në mënyrë të njëanshme, nën presion dhe nga gjyqtarë joprofesional. Gjithashtu, në rritje shkon edhe numri i diskriminimit të qytetarëve të cilët kërkojnë mbrojtje nga kjo dukuri, dhe një numër i madh i tyre ankohen se diskriminohen në bazë etnike.
Z. Memeti, familjarët e të arrestuarve të “Kumanovës” kanë pritur me orë të tëra para dyerve të burgut, ata ankohen se nuk u lejohet t`i vizitojnë të afërmit e tyre. A është e drejtë kjo?
Pas grumbullimit të dëshmive dhe informacioneve, kemi siguruar dëshmi të mjaftueshme se tek një i paraburgosur është kryer torturë. Njëlloj edhe në rastet e tjera të të paraburgosurve kemi informacione për maltretime dhe tortura dhe këto denoncime janë bërë edhe nga avokatët e të afërmit e të paraburgosurve. Kemi informacione dhe të dhëna se personi i punësuar në polici, që është nga Kumanova, është trajtuar keq dhe maltretuar që kur është shqiptuar masa e paraburgimit. Për ne, personat zyrtarë që kanë kryer aktet e tilla nuk janë të njohur, por për organet e tyre përgjegjëse ata janë të njohur dhe dihet se cilët kanë qenë policët.
Ne kemi të dhëna për gjendjen e rënduar edhe për të burgosurë të tjerë, por siç thashë procedura është mjaft e vështirë dhe komplekse.
Z. Memeti, rasti i përgjimeve shkeli të drejtën e privatësisë dhe të familjes, pasiqë opozita bëri publike nëpërmjet “bombave” se qytetarët janë përgjuar në mënyre joligjore. Cili është vlerësimi juaj për këtë aferë?
Çdo herë kur ka shkelje të të drejtave të qytetarëve, të mos flasim kur kjo është një dukuri masive, institucionet duhet të reagojnë shpejt dhe në mënyrë efikase. Gjithçka tjetër do të linte dilema për mosbesim ndaj institucioneve, kështu që edhe ky rast kërkon punë shumë serioze, të shpejtë dhe profesionale të institucioneve. Përndryshe, nëse mbetet i pazbardhur shpejt dhe në mënyrë efikase, gjithsesi se do të lë pasoja të rënda në çdo aspekt edhe tek qytetarët edhe në shoqëri në përgjithësi. Vlerësoj se qytetarët që do të dëshmohet se kanë qenë viktimë e një përgjimi masiv joligjor, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre përmes gjykatave, institucioneve të drejtësisë si dhe institucionit të Avokatit të Popullit.
Z. Memeti, nga përgjimet dolen në pah abuzimet gjyqësore të rastit të “Sopotit”, ndërkohë që pritet edhe zbardhja e “Mostrës”. A mundet të na thoni edhe një herë mendimin tuaj mbi këtë proçes që dyshohet të jetë i montuar politikisht?
Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë montimin e këtij rasti, duke filluar nga hetuesit, strukturat e shërbimit sekret që kanë ushtruar dhunë dhe inskenim, gjykatësit, prokurorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë që kanë ndihmuar këtë proces, duhet të përgjigjen penalisht. Përgjegjësi duhet të jape edhe lidershipi politik maqedonas dhe shqiptar që ka udhëhequr shtetin në këtë periudhë kohore, i cili edhe pse i ka ditur faktet ka heshtur përballë kësaj padrejtësie.
Kam kërkuar të kompensohen viktimat e këtij procesi, të burgosurit nga familja Klaiqi nga fshati Sopot, të cilët për gati një decenie u mbajtën të torturuar fizikisht dhe psiqikisht në kushte mizore në burgjet e Maqedonisë. Pa u zbardhur dhe gjykuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë këto raste, Maqedonia nuk mund të pretendoj anëtarësimin në familjen evropiane. Maqedonia si shtet kandidat për anëtarësim në BE e ka të domosdoshme t`i respektojë konventat ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut . /tesheshi.com/