Siç bën të ditur Komisioni i autoritetit lokal të veriut të Irakut, në referendumin për pavarësinë e pjesës kurde nga Bagdadi zyrtar kanë marrë pjesë 72% e popullsisë.
Siç bën të ditur agjencia turke e lajmeve Anadolu, rezultati zyrtar i referendumit të kundërshtuar jo vetëm nga Iraku, por edhe nga të gjitha shtetet e rajonit dhe Fuqitë e Mëdha, pritet të shpallet pas 3 ditësh.
Zëdhënësi i Komisionit Elektoral, Shirwan Zirar deklaroi nga kryeqyteti i rajonit Erbil se në referendum kanë marrë pjesë 3,305,000 zgjedhës që përbëjnë 72% e njerëzve me të drejtë vote.
Referendumi që u bojkotua nga turkmenët dhe arabët u zhvillua në provincat e Erbil, Dohuk, Sulaymaniyah Kirkuk, Tuz Khurmatu, Saladin, Khanaqin dhe Diyala.
SHBA së bashku me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Iranin dhe Irakun i kanë bërë thirrje Erbilit të ndërpresë referendumin por këto kërkesa nuk u morën parasysh.
Të hënën, Presidenti i Turqisë Rexhep Tajjip Erdogan tha se Ankaraja do të marrë masa politike, ekonomike dhe tregtare kundër Autoritetit Lokal Kurd në veri të Irakut, por edhe masa ushtarake nëse referendumi do të sjellë dhunë.
Ndërkaq, lideri i Autoritetit lokal kurd, Masoud Barzani, deklaroi se vota “PO” në referendum nuk do të thotë një deklaratë automatike të pavarësisë, por do të nisë një proces negociatash me Bagdatin. /tesheshi.com/