Amsterdami nuk do të lejojë ndërtimin e hoteleve të reja në të ardhmen, në përpjekje për t’u marrë me turizmin e tepërt, njoftoi qeveria e qytetit.
“Ne duam ta mbajmë qytetin të jetueshëm si për vendasit ashtu edhe për vizitorët. Kjo do të thotë – jo më turizëm të tepruar, jo më hotele të reja dhe jo më shumë se 20 milionë netë hotelesh të turistëve në vit në të ardhmen”, njoftuan autoritetet e qytetit.
Dekurajimi i turizmit
Një hotel i ri në Amsterdam do të mund të ndërtohet vetëm nëse mbyllet një tjetër, nëse nuk shtohet numri i shtretërve dhe nëse ofron kushte më të mira për sa i përket qëndrueshmërisë.
Ky vendim nuk vlen për hotelet, ndërtimi i të cilëve është tashmë në zhvillim e sipër ose që kanë marrë leje ndërtimi.
Qyteti po përpiqet në mënyrë aktive të kufizojë numrin e turistëve, të cilët numërohen në miliona çdo vit, shkruan Reuters, kryesisht duke dekurajuar turizmin e seksit dhe drogës në lagjen e dritave të kuqe.
Pra, ndryshe nga Shqipëria ku hoteleria po përjeton një boom, si pasojë e boom-it turistik, në Hollandën e supertërheqjes turistike turizmi u ka ardhur në majë të hundës. /tesheshi.com/