BE-ja mbetet e shqetësuar për krizën politike në vend për çka kërkon zgjidhje urgjente, por akoma nuk ka ofruar zgjidhje konkrete, së paku jo zyrtarisht. Kjo nuk ka ndodhur as sot, pas takimeve që pati në Shkup kryetari i Komitetit të përbashkët parlamentar BE-Maqedoni, Alojz Peterle, me përfaqësuesit e partive politike, pa ofruar recetë të gatshme për kapërcimin e krizës, por vetëm konfirmoi angazhimin e BE-së për të ndihmuar.
Peterle, por as kryeministri Gruevski dhe as përfaqësuesit e partive tjera politike, nuk u prononcuan pas takimeve kokë më kokë që patën, përveç zv/kryetares së LSDM-së Radmilla Sheqerinska. Partia e saj siç tha, insiston që zgjidhja të bëhet vetëm me largimin e kryeministrit Gruevskit dhe formimit të një qeverisë kalimtare.
“Ata që ju ndihmojnë mund vetëm të ju ndihmojnë, por jo edhe ta kryejnë punën tonë. Mesazhi kryesor nga bisedimet e deritanishme është se pa vullnetin politik të pushtetit për të marrë përgjegjësi dhe të pranojë se qeveria e Gruevskit nuk është e qëndrueshme më, nuk mund të ketë zgjidhje. Mund të vijnë çfarëdo negociatorësh, mund të vijnë lehtësues me pozicione të larta, rezultati do të jetë i njëjtë”, tha Sheqerinska.
Deputeti europian, Alojz Peterle, takoi edhe liderët e partive shqiptare Ahmeti dhe Thaçi.
Siç qëndron në kumtesat partiake, kreu i BDI-së Ahmeti ka theksuar se mungesa e perspektivës euroatlantike si pasojë e çështjeve të pazgjidhura me fqinjët, rezulton me thellimin e krizës politike dhe pasigurinë, ndërkohë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, ka theksuar se rrugë e vetme për të dalë nga kjo situatë është arritja e një marrëveshje të qëndrueshme mes 4 partive politike me ndërmjetësim ndërkombëtar, që do të përshpejtonte zgjidhjen e problemeve të brendshme, si dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. /tesheshi.com/