Presidenti turk kërkoi nga Europa të mirëpresë më shumë nga rreth 3 milionë refugjatë që jetojnë aktualisht në Turqi, ndërkohë që situata me emigrantët në Turqi është bërë pjesë e fushatës së referendumit në Britaninë e Madhe. Grupet që fushatojnë për daljen e Britanisë së Madhe nga BE thanë se rritja e emigracionit nga Turqia mund të përbëjë rrezik sigurie nëse vendi pranohet në BE.
Recep Tayyip Erdoğan theksoi se Europa nuk po bën mjaftueshëm për t’i vendosur një shpatull barrës së rëndë që po mban Turqia, e cila tashmë strehon më shumë refugjatë sesa çdo vend tjetër në botë, pasi lufta civile siriane ka detyruar më shumë se 2.7 milionë njerëz të largohen në drejtimin veriperëndimor për në kufirin turk.
Presidenti i bëri këto komente në një artikull përgazetën britanike “The Guardian” ndërsa në Turqi u konfirmua Binali Yıldırım si kryeministri i ri i vendit, pas largimit të paraardhësit të tij, Ahmet Davutoğlu në fillim të muajit për shkak se sipas zërave, nuk binte dakord me kryeministrin.
Yıldırım, një aleat i vjetër i Erdoganit premtoi t’i japë më shumë autoritetet zyrës së presidentit, duke zvogëluar në këtë mënyrë kompetencat e kryeministrit.
Komentet e Erdogan për migracionin, pa dashje, mund të ndezin flakët e një debati në Britani, ku një nga organizatat që punon për Brexit, pretendoi se Britania përballet me një fluks të madh emigrantësh turq nëse vendi do të vijojë të mbetet anëtar i bllokut dhe Turqia do të lejohet të anëtarësohet.
Në shkrimin në “The Guardian”, Erdoğan tërheq vëmendjen e publikut britanik ndaj një lloj tjetër fluksi emigrantësh nga Turqia –ai i refugjatëve sirianë. Turqia pret që vendet perëndimore si Britania të përshpejtojnë vendosjen formale të sirianëve në territorin turk, sidomos pas marrëveshjes së Marsit me anë të së cilës Turqia angazhohet të ripranojë të gjithë azilkërkuesit që mbërrijnë në rrugë detare në brigjet greke.
“Ndërsa lufta civile në Siri hyn në vitin e gjashtë, ne apelojmë botën të ngrihet në lartësinë e sfidës dhe të krijojë një mekanizëm të drejtë për të ndarë barrën”, shkruan Erdogan.
“Për të mbajtur emigracionin e paligjshëm nën kontroll, Europa dhe Turqia duhet të punojnë së bashku për të krijuar mekanizma ligjorë, si marrëveshja e marsit, për risistemimin e refugjatëve sirianë. Duke vlerësuar refugjatët që luajnë sipas rregullave dhe duke e bërë të qartë se emigrantët e paligjshëm do të kthehen pas në Turqi, ne mund të bindim njerëzit të shmangin rrezikun e humbjes së jetës në det”.
Apeli i Erdogan vjen vetëm disa ditë pasi Bashkimi Europian pohoi se vetëm 177 sirianë janë risistemuar nga Turqia në Europë që nga nisja e zbatimit të marrëveshjes Turqi-BE në muajin mars.
Komentet e tij vijnë edhe në një kohë kritike, kur në Stamboll është mbledhur samiti botëror humanitar, një ngjarje e shënuar e OKB-së në të cilin politikanë nga 175 vende dhe fusahtues nga mijëra organizata ndihmash mblidhen me shpresën e reformimit të sistemit të ndihmës.
Ndërsa akoma edhe më shumë njerëz – afërsisht 130 milionë- kanë nevojë për ndihmë humanitare me shumë se kurrë, me organizatat e ndihmës gjithnjë e më shumë me burime të kufizuara dhe ndërkohë që ligji ndërkombëtar është i kërcënuar, OKB dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të arrijë dakordësi për standarde të reja globale humanitare.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/