Në një intervistë për Top Channel dhënë pas skandalit të trukimeve që kanë përfshirë kamionen në fuqi, Skënderbeun, kreu i FSHF-së, Armando Duka, tha se fjalën e fundit e ka thënë Gjyjata Europiane e Futbollit:
“Nga pikëpamja juridike ne nuk kemi se çfarë të bëjmë më tepër, sepse po të lexosh statutin e FSHF-së, shkalla më e lartë e gjykimit është CAS-i. Ai komision ka të drejtë ta përjashtojë edhe nga kampionati shqiptar, por edhe fare nga futbolli, megjithatë ka marrë atë vendim që ka marrë. Pavarësisht se ndonjëri ka pasur dëshirë ta dënojnë me vdekje, ata e kanë dënuar me një vit mospjesëmarrje në kupat e Europës”.
Ndërsa sa për kërkesën e ekipit të Partizanit që t’i kalojë atij titulli kampion, meqë Skënderbeu rezultoi me ndeshje të trukuara, Duka tha se kjo është ligjërisht e pamundur.
“Organet juridike të FSHF-së janë nën nivelin e CAS-it. Çdo lloj vendimi, edhe nëse do ta marrin organet e Federatës Shqiptare të Futbollit, palët në fjalë, qoftë Skënderbeu apo Partizani do ta ankimojnë në CAS dhe më pas CAS-i do të shprehet duke thënë se e ka marrë një herë vendimin për këtë çështje, e për këtë arsye nuk mund ta ndryshojë më atë. Nuk besoj se kjo çështje duhet diskutuar më”, sqaroi kreu i futbollit shqiptar.
Por në intervistën e Dukës, ra në sy një ofezë e tij ndaj deputetit Braçe, edhe pse nuk ja përmendi emrin:
“Dhe më vjen keq, aq më tepër kur flet ndonjë palaço apo klloun nga politika. Ndonjë klloun i vogël kërkon të hedhë baltë mbi futbollin tonë”, tha Duka. /tesheshi.com/