Vetëm pasi dëgjon një intervistë pa “doreza” dhe krejt larg gjuhës së drujtë të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka, i jep përsëri të drejtë për daljet jo të shpeshta në media. Nëse do t’i thoshte më shpesh të vërtetat, ndonjëherë dhe të hidhura, me siguri që nuk do të kishin të njëjtën forcë dhe të njëjtin vlerë. I ftuar në emisionin “Shih Programin” te gazetarit Enkel Demi në TVSH, kreu i FSHF-së, deklaroi mes të tjerave se përpos objektivit për të paktën 1 pikë në Danimarkë, ai i vë notën 8 dhe trajnierit ndoshta më të sukseshëm që ka patur ndonjëherë kombetarja jonë De Biazi. E duke folur për angazhimin e këtij të fundit, Duka zbulon shumë detaje për herë të parë në lidhje më punën e Misterit dhe ofertën joshëse të marrë prej tij nga miliarderët e Arabisë. Si e komenton ai vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, a ka mundësi për apelim, si do të luhet ndeshja e kthimit me Serbinë dhe cili do të jetë “fjalëkalimi” për të hyrë për të parë atë ndeshje, a I druhet euforisë dhe nacionalizmit Duka? Për këto dhe shumë të tjera përgjigje të Armando Dukës nuk duhen humbur, lexoni intervistën dhënë gazetarit Enkel Demi…
Vendimi i Gjykates së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, ishte një vendim që mund të themi se na ndihmoi Zoti, apo e meritonim?
Personalisht kam besuar gjithmonë se do t’ia dilmin. Por nëse nuk ke argumentet e duhura ligjore, nuk ke se çfarë t’i bësh. I gjithë opinioni mediatik, duhej sqaruar se nuk ishte faji i Shqipërisë. Duhej argument i fortë juridik për të arrritur një rezultat pozitiv. Ne ishim të sulmuar, dhe të mbrojtur vetë në të njëjtën kohë në Beograd. Shumëkush ka hamendësuar për çfarë ka ndodhur, shumëkush nuk ka thënë të vertetën. Ndoshta dikush nga dëshira e madhe që ne duhet të fitonim ka qenë i paarsyeshëm në publikimet e tij, por unë edhe 100 herë do të veproja siç kam bërë deri më tani.
UEFA sikur bëri dhe akuza ndaj delegacionit të FSHF-së?
Jo, më shumë sesa UEFA, akuzat erdhën nga “brenda”, u sulmuam për seriozitetin e studios ligjore të kontraktuar nga ne. Studio ligjore ështe më e mira për sport, pavarësisht se shumëkush e komentoi si të lodhur. Për çështje sportive e provoi edhe në këtë rast se është më e mira.
Ju jeni 100% i kënaqur për vendimin e KAS?
Do të isha më i kënaqur po të na e kishin hequr atë gjobën. 100 mijë euro nuk janë pak. Ne jemi denuar për një baner të paligjshëm.
Cili është baneri i paligjshëm?
Ai që u shfaq në stadiumin e Beogradit. Çdo baner duhet të jetë i autorizuar. Ai për sa kohë nuk ishte i autorizuar, ishte i paligjshëm. Por nuk është problemi vetëm tek ai baner. Ne kemi paguar edhe 50 mijë euro për një baner në stadiumin e Elbasanit. Edhe ne duhet të reflektojmë nga vendimi i KAS. Duhet të mendojmë se sporti është edhe dëfrim, jo vetëm arenë emocionesh qofshin këto edhe nacionalizmi.
A keni kontakte me shoqatat e tifozëve?
Po kemi, por duhet të them se kemi përmirësime, por kemi dhe gabime përdërisa paguajmë gjoba.
Ndeshja e kthimit e Serbisë në Shqipëri është shumë e rëndësishme, si për marrëdhëniet tona, gjithashtu edhe sepse është një ndeshje delikate si për pikët ashtu dhe për emocionet e pritshme. Në stadium duhet të jemi korrekt, jo vetëm për sportin, por edhe për kombëtaren. Duhet të jemi të kujdesshëm.
A do të pranoni tifozë serbë në ndeshjen e kthimit Shqipëri-Serbi?
Nuk besoj se do të ketë tifozë serbë. Aty biles nuk duhet të ketë as tifozë fanatikë shqiptarë. Duhet të jenë tifozët familjarë. Tifozëve biles do t’iu kërkohet nga ana jonë që të vijnë me familjet. Kush vjen me fëmijët do të ketë një skonto në biletë.
A jeni të përgatitur për të pritur dhe personalitete serbe?
Unë e di qe i ka ftuar kryeministrim, por nuk e di a do të vijnë. Miqtë duhen pritur si të tillë, por ne duhet të përgatitemi që të presim denjësisht dhe një skuadër të mirë si Serbia. Kërkojmë ndihmën e opinionit publik për t’ia dalë mbanë dhe për të mos dalë të humbur nga kjo ndeshje. Ajo ndeshje duhet luajtur si ndeshje futbolli, jo ndeshje nacionalizmi.
Miku ynë i përbashkët Dritan Shakohoxha ka bërë një intervistë me Ismail Morinën, të njohur dhe si Ballist Morina. Digitalb ka nisur dhe një fushatë për ta ndihmuar. A është hero ky personazh?
Unë dua të theksoj se çdo gjë që është e parregullt, nuk duhet bërë. Nëse baneri do të sillte pasoja pozitive do të ishte nje veprim i mirë. Ne mund edhe ta kishim fituar atë ndeshje se po luanim mirë. Por shfaqja e atij baneri vetëm e nxehu atmosferën. Por nga ana tjetër emocionalisht edhe neve na lehtësoi, na shpërtheu në një farë mënyre, sepse kishte shume tension në atë ndeshje. Pati gjeste joetike, sharje që përpara se të hynim ne stadium. Ndeshja u ndërpre disa herë për shkak të tensionit.
A e rrezikon nje apelim vendimin e Lozanes?
Në dijeninë time ka patur dy çështje: Shqipëria kundër UEFA-s dhe tjetra Serbia kundër UEFA-s për zbritjen e tre pikëve. Unë kam qenë vetëm në seancën e Shqipërisë. Kryetari i trupit gjykues pyeti nëse kemi vërejtje proceduriale. UEFA nuk e ka bërë ketë verejtje dhe ndaj nuk e ankimon dot. Serbia nuk e di nëse e ka rezervuar këte të drejtë, mund të ankohen nëse e ka bërë paraprakisht këtë vërejtje, por shanset per të fituar janë shumë minimale.
Si është morali i skuadrës pas vendimit të KAS?
Shumë të ekzaltuar. Besoj se ajo ditë ishte ditë feste. Por futbollistët duhet të jenë me këmbë në tokë, të shikojnë për ndeshjen me Danimarkën. Deri më tani e kanë bërë shumë mirë punën e tyre. Ndeshja e Danimarkës është e vështirë dhe shumë e rëndësishme. Kam vetëm frikën e mbingarkesës emocionale.
Sa ndikon trajnieri në këtë rast në përgatitjen psikologjike?
Stafi është serioz dhe në përgatitjen psikologjike. Ata e dinë shumë mirë se nuk ka vend për eufori. Mbingarkesa emocionale është e ditur dhe nga ata si rrezik. Në nuk kemi arritur kurrë deri në këtë pikë, ndaj besoj se do t’ia dalim kësaj here. Kjo skuadër mund të fitojë dhe me Gjermaninë, por mund të humb edhe me Luksemburgun.
Jemi me afër tani për tu kualifikuar në Europian, sesa në ’86 me golat e të madhit Ben Minga?
Shanset tona tani janë 70 përqind që të kualifikohemi. Unë besoj që me 1 pikë në Danimarkë do të fitojmë.
Keni keqardhje per shortin e Botërorit?
Shorti i botërorit është shumë mirë. Shumë mirë që e kemi Serbinë në grup, sepse duhet të normalizohen marrëdhëniet dypalëshe.
Vendi i tretë në grup është i sqaruar, është një “gol” i UEFA-s ky?
Jo, kjo është rregullorja. Nëse do të luanim për Kupën e Botës do të ishim të dytët.
A keni një koment për heshtjen e UEFA-s për KAS?
Qëndrimin e kanë mbajtur në seancë, nuk kanë pse ta komentojnë, apo pse të kenë hasmërira, siç shumëkush pretendon. Ata duhet ta shohin këtë vendim si të drejtë.
Nëse kualifikohemi, ndryshojnë financat e FSHF?
Jo shumë, por diçka ka. Por është shumë më i vogël përfitimi financiar para atij shpirtëror.
Ne e financojmë pak futbollin apo jo?
Jo, ne jemi me vetëfinancim, nuk financohemi. Kontributi qeveritar është zero. Ne ia dalim me të ardhurat tona dhe të ardhurat si anëtarë të FIFA-s dhe UEFA-s. Ka mbi 10 vjet që nuk marrim asgjë nga shteti.
Po gjithë kjo eufori kombëtare, nuk ka sjellë një brerje ndërgjegje?
Nuk ka qenë ndonjëherë sporti në Shqipëri prioritet, ka patur gjithmonë vetëm dëshira për rezultate sporadike, por nuk ka patur stategji. Së fundmi ka një mbështetje në infrastrukture nga qeveria, jo për financime
Mund të më jepni një notë për trajnierin De Biazi nga 1-10?
Mund t’i vë 8. E meriton se është i përkushtuar në 100 përqind të kohës së tij. Unë kam eksperincë me trajnerë të huaj si Dosena, Brigel, Han, Kuzhe, etj, por De Biazi është ndryshe, është shumë i përkushtuar. Ai edhe në qoftë se ka ekipi një stërvitje në 5 pasdite, ai vjen që në orën 09.00 dhe bën çdo gjë gati. Deri para se të vinte De Biazi unë njihja çdo talent shqiptar, por që kur ka ardhur ai unë mund të rri i qetë, pasi ai njeh edhe 12-13 vjeçarët që janë talente. Ai është vetëm pak emocional në drejtimin e 90 minutave të ndeshjes. Nëse nuk do të kishte këtë do t’i vija notën 10.
(Ishallah nuk më dëgjon, megjithëse ka filluar të marrë vesh shqip)
Pse nuk e rinovojmë kontratën me teknikun?
Sepse do të shpërqëndroheshim. Duhet të përqëndrohemi para ndeshjes me Danimarkën. Trajneri është në kontratë deri në 2016. Ai është profesinist.
Ju e keni dëgjuar këtë ofertën e bërë nga vendet arabe?
Po e di se ma tha vetë. Kur më tha shifrën, i thashë është mirë që të ikim bashkëm sepse ishte shifër shumë e lartë (qesh). Por duke lënë mënjanë shakatë, duhet të them se duhet të përqëndrohemi për ndeshjen me Danimarkën, sepse nuk është pak edhe për të ky moment.
De Biazi është një trajner shumë i kërkuar, karizmatik, nuk keni frikë se ikën?
I ka ardhur një shifër, por ai është në kontratë, ai është profesional, do të shkojë deri në fund.
Duke qenë profesional, kam përshyptje se ajo shifër do të dyfishohet nga ju apo jo?
Do të paguajmë sa të kemi buxhetin. Jemi munduar maksimalisht për ekipin kombëtar. Ne jetojmë me të ardhurat nga biletat, sponsorat, të drejtat televizive. Ne bëjmë shumë aktivitete me të gjitha strukturat e futbollit, jo vetëm me kombëtaren. Sot futbollistët shqiptarë U19 i kanë bërë 50 ndeshje, kur në të kaluarën nuk bëheshin as 20 të tilla.
Kombëtarja ka shtuar edhe 4 lojtarë të rinj nga Zvicra?
Do të kemi të reja në shtator, do të kemi të reja dhe në fushë. Besoj se në strategjinë tonë kemi një parim: “Duhet të luajnë vetëm shqiptarë në ekipin tonë”. Kjo pasi ekipi ynë duhet të përçojë mënyrën sesi e përcjellin shqiptarët garën e futbollit. Ne nuk duam p.sh një brazilian në ekipin tonë. Ekipi duhet të përcjellë mesazh, pasi të gjithë janë përfaqësues të kombit tonë. Unë ekipin e preferoj me shqiptarë.
Sikur të donte të luante Pero Pejiç me Shqipërinë, nuk do ta lejoje?
Jo, nuk do ta merrja. Kemi Balën shume më të mirë.
Kemi një djalë të ri i cili sapo është federuar me Interin, Rei Manaj, talent i mundshëm u kombëtares?
E rëndësishme është që të vleresohen futbollistët mbi 20 vjeç. Edhe ne përfshihemi shpesh që t’i sistemojmë talentët e rinj.
A ndikon trajnieri i kombëtares në sitemimin e lojtarëve?
Natyrisht të gjithë konsultohen me trajnierët, miqtë në botën e sportit, por nga ana tjetër ka shumë studime për rekrutimet e talenteve.
Po kombëtarja e femrave si shkon?
Ekipi ynë është modest, për herë të parë kemi marrë pjesë në eleminatorët e Kampionatit Botëror. Kemi dalë të fundit në grup, por nga ana tjetër kemi patur edhe një fitore, kemi mundur Greqinë. Ne kemi rreth 5-6 vite që kemi marrë pjesë në kompeticione ndërkombëtare. Duhet bërë akoma më shumë për këtë pjesë.
Kampionati shqiptar është kompetitiv në tregun e futbollit?
Në rajon, besoj se është ndër më të të mirët krahasuar me kampionatët e Maqedonisë, Bosnjës, Malit të Zi.
Ne folëm pak për skuadrat zinxhir, ndërrimi i formulës e ka bërë Superligën më interesante?
Kemi patur opinione pozitive si nga skuadrat, ashtu dhe mediat e tifozët. Kjo skemë me 10 skuadta dhe 4 faza ka patur të mirë përqëndrimin e lojtarëve të mirë, sepse hynë në lojë dhe pjesa “komerçialë” e futbollit. Por edhe terrenet sportive nuk përballojnë më shumë se kaq. Të ardhurat po ashtu. Pastaj janë të vlefshme dhe eksperiencat krahasuar me vendet e tjera si Zvicra, Austria, Irlanda, Skocia që kanë të njëjtën formulë kampionati. E vetmja e “keqe” nëse mund të thuhet kështu është që nuk ka numrin optimal të ndeshjeve për futbollistët, sepse ata luajnë rreth 36 ndeshje bashkë me ndeshjet e Kupës. Ky kampionat ka patur më shumë spektatorë në stadium.
Por ka patur prapë polemika, ngjarje të ndodhura në stadiume apo jo?
Sa të ekzistojë futbolli do të ketë gjithmonë ngjarje. Futbolli është garë, është emocion.
Si ju duket ecuria e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës?
Në 3 vitet e fundit ka qenë kompetitivë, pasi 3 vjet më parë në të gjitha rastet jemi eleminuar që në turin e parë, kurse tani pretendojmë të kalojmë në turin e dytë apo të tretë. Edhe në këtë eleminatore megjithese Laçi e Partizani u eleminuan, ata u paraqitën mirë. Skënderbeu besoj e ka të kaluar turin e parë.
Si i bëhet me shitjen e ndeshjeve?
është një realitet që ekziston sot në botë, një gjë që e gërryen futbollin. Duhet parandaluar me skema të ndryshme, denoncimi është i fundit. Ne kemi dënuar për tolerime apo për fiksime rezultati. Të sigurosh formula që të ketë garë gjithmonë është një rrugë që të shpëtojmë nga trukimi
I keni parë fotot e punimeve në stadiumin “Loro Boriçi”?
I kam parë, e pas atyre fotove të bëra publike nga një tifoz ia kemi bërë ketë lloj reklamimi studios, por ajo pretendon se e dinte dhe se do të bëhen disa ambiente të tjera aty që nuk do të pengojnë shikimin e tifozëve.
Pse po investohet ne Elbasan apo në Shkodër dhe jo në Tiranë?
Kanë ndryshuar kërkesat për impiante sportive. U mendua që të bëhej më parë ose Shkodra o Elbasani, sepse ata mund të vinin më shpejt në prarametra, me një kosto më të vogël dhe në kohë më të shpejtë. Ne patëm kërkuar vetëm Elbasanin. Më pas ishte kryeministri që premtoi rregullimin e stadiumit të Shkodrën. Nëse do më kishte pyetur unë isha për rikonstruksionin e stadiumit “Qemal Stafa”. Ne jemi bashkëfinancues në këto projekte, pjesën e luanit në financim e ka qeveria. Unë besoj se do të gjejmë dhe një zgjidhje për stadiumin “Qemal Stafa” shumë shpejt.
Ka gjasa që ndeshja me Serbinë të mos luhet në Shqipëri?
Asnjë shans.
A të pëlqyen batutat Rama-Vuçiç?
Unë do të doja të ishin pak më shumë miqësorë, ata prapë çuan ujë në politikë, jo në futboll të dy.
Kushtet e stërvitjes të ekipeve në Shqipëri nuk janë të mira apo jo?
Nuk janë ideale, por nuk janë të këqia. Duhet të kujtoj se deri në vitin 2000 prishëm gjithçka. Tashmë po rindërtojmë, çdo klub tashmë e ka një fushë të mirë, por që të jenë ideale duhet një financim 10-20 herë më i madh. Federata nuk e ka për detyrë që të bëjë fusha.
A i humbim ne talentet nga kushtet e këqia të stërvitjes?
Padyshim që po. Nuk bëhesh futbollist nëse nuk stërvitesh si i tillë.
Keni një koment për skandalin e FIFA-s?
Nuk kam ndonjë informacion më të saktë sesa ky mediatik. As në kongresin e FIFA-s nuk u tha asgjë më shumë zyrtarisht, as nuk u tha pse u bënë arrestimet e zyrtarëve në FIFA. Nuk ka asgjë zyrtare. Sot u vendos që zgjedhjet të bëhen në 26 shkurt të vitit të ardhshëm për kreun eFIFA-s. Me thashetheme janë 4 kandidatë.
Ata do ta votoje Platininë për t`u zgjedhur në krye të FIFA-s?
Duhet të shoh konkurentët e tjerë dhe pastaj mund të të them diçka.
Sa i fortë është lobimi në UEFA, a ngjan me Eurovizionin?
Raportet e krijuara të paktën në dijeninë time, janë përgjithësisht raporte sportive, jo raporte shtetërore. Ne kemi një marrëdhënie korrekte me të gjithë.
Si i keni ndërkohë marrëdhëniet me Platininë?
Unë shfrytëzoj çdo lloj marrëdhënie për të bërë më të mirën për futbollin shqiptar. Pas Beogradit i kam thënë që gaboi. Ai nuk duhej të fliste ashtu. Ai mund të bente një deklaratë politikisht korrekte, të thoshte: “Dënoj dhunën”. Ai gaboi në qëndrim, por nuk besoj se ka gjë më Shqipërinë. UEFA na ka ndihmuar.