Washington Post raporton, duke përmendur burime saudite dhe amerikane, se Komiteti Kundër Korrupsionit i Princit të Kurorës saudite Mohamed bin Salman, është duke përfunduar një hetim të hollësishëm mbi akuzat e korrupsionit dhe tradhtisë ndaj Princit Mohamed bin Nayef, katër muaj pas arrestimit tw tij.
Komiteti Antikorrupsion po përgatitet të akuzojë ish-trashëgimtarin e fronit dhe ish-ministrin e Brendshëm Bin Nayef për përvetësim të 15 miliardë dollarëve ndërsa drejtonte programe saudite kundër terrorizmit në Ministrinë e Brendshme, shton gazeta amerikane.
Komiteti Kundër Korrupsionit pretendon se Bin Nayef në mënyrë të paligjshme i devijoi fondet e përmendura përmes kompanive mashtruese dhe llogarive private.
Sidoqoftë, dokumentet që i janë dhënë gazetës amerikane nga një bashkëpunëtor i afërt i Princ Bin Nayef tregojnë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta, thekson Washington Post.
Sipas dokumenteve, aktivitetet e fshehta financiare, të paktën në një shkallë të gjerë, u aprovuan nga ish-mbreti Abdullah bin bin Abdul Aziz, pasi një dekret mbretëror u dha në vitin 2007 duke aprovuar të gjitha aktivitetet e Bin Nayef në programin kundër-terrorizmit, me kusht që ai të paraqiste detaje të raportit vjetor i shpenzimeve.
Princi Bin Nayef shërbeu si Ndihmës Ministër i Brendshëm në 2007, dhe disa vjet më vonë, nga 2012 deri në 2017, ai mori përsipër detyrën si Ministër.
Në fillim të majit 2013, Bin Nayef dorëzoi një raport tek Mbreti i atëhershëm Abdullah, i cili përmbante një përmbledhje të kostove sekrete të programeve antiterrorizëm për të njëjtin vit fiskal.
Në dokument, princi kërkoi miratimin mbretëror për alokimet financiare të 5 miliardë rialëve sauditë (rreth 1.3 miliardë dollarë) për të financuar tetë projekte.
Tre ditë pas paraqitjes së raportit, gjykata mbretërore pranoi kërkesën e Bin Nayef për të financuar projekte, përfshirë ndërtimin e një aeroporti sekret dhe blerjen e armëve.
Washington Post deklaron, duke përmendur një nga ndihmësit e Bin Nayef, se ekipi ligjor i tij i mban këto dokumente në Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicër dhe se ato do të jenë të disponueshme në çdo procedurë ligjore ndërkombëtare që mund të ndodhë në të ardhmen.
Para arrestimit të tij, i cili ndodhi në 7 mars, Bin Nayef ishte nën arrest shtëpiak pasi u rrëzua nga trashëgimtari aktual i fronit Mohamed bin Salman në qershor 2017. /tesheshi.com/