Presidenti Begaj anashkaloi një përgjigje të qartë se pse ai devijoi nga axhenda e përcaktuar gjatë një vizite në Finiq afro një muaj më parë, duke vizituar Parkun Arkeologjik por jo Bashkinë, siç ishte përcaktuar.
Siç u përfol dhe jo vetëm nga mediat greke, kreu i shtetit kërkoi që të hiqej flamuri grek nga Bashkia, një kërkesë që nuk iu plotësua, ndaj dhe vendosi të vizitonte vetëm Parkun majë kodrës së Finiqit, për të cilin u shpreh me konsiderata, por duke i bishtnuar me gjuhë të drunjtë arsyeve të mosvizitës në zyrat e qeverisjes minoritare.
“Para një muaji, ndoshta pak më shumë, kam bërë një vizitë në bashkitë e jugut, dhe në këtë tur vizitash ishte planifikuar dhe vizita në bashkinë e Finiqit.
Së bashku më kryetarin e bashkisë së Finiqit, Prefektin e qarkut dhe deputetë të zones, kam zhvilluar një vizitë në parkun arkiologjik të Finiqit, dhe më pas u takuam dhe bashkëbiseduam me një grup qytetarësh të bashkisë Finiq, për çështje të ndryshme që ata i shqetësonin më shumë.
Me këtë rast unë i bëj thirrje çdo shqiptari, që të bëjë një vizitë në parkun arkeologjik të Finiqit. Është pjesë e trashëgimisë tonë kulturore. Mendoj, që është park i harruar, por duhet të bëhet më shumë, që tur-operatorët, turistët, njerëzit e tjerë të shkojnë ta vizitojnë si çdo atraksion tjetër turistik në vendin tonë.
Sa i përket të tjerave, unë si President i Republikës, jam i detyruar të zbatoj Protokollin shtetëror, ceremonialin e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin për simbolet në Republikën e Shqipërisë”, ishte përgjigja e Begajt në një intervistë për VOA-n.
Tjetra që në ra sy ishte përkimi i vizitës së tij me atë të kryeministrit Mitsotakis, duke thënë se ishte thjesht koiçidencë.
“Ju siguroj, ishte thjesht rastësi, dhe nuk ka vend për asnjë teori konspirative”, tha Presidenti Begaj.
Duke komentuar çështjen e Detit, për të cilën dy shtetet i janë drejtuar Hagës, Begaj bëri një vlerësim të lartë të raporteve mes dy vendeve.
“Vendi ynë ka raporte të mira me të gjithë fqinjët. Këtu hyn edhe Greqia. Greqia fqinje është një partner strategjik për vendin tonë, po ashtu një partner shumë i rëndësishëm ekonomik. Ne jemi vend aleatë në NATO dhe i ndërtojmë marrëdhëniet bazuar në reciprocitet dhe në respekt të njëri tjetrit.
Historia dhe kultura e lashtë e të dy vendeve, si dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ashtu edhe komuniteti grek në Shqipëri, janë ura të forta lidhëse të këtij bashkëpunimi dhe miqësie.
Për çështje të hapura, si kjo që ju sapo përmendët, unë shprehem që, çdo çështje e re apo e vjetër, e lidhur me shtetin grek, do ta trajtoj në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të marrëveshjeve dhe të Drejtës ndërkombëtare, kuptohet, në respekt të fqinjësisë së mirë, reciprocitetit dhe si aleatë në NATO”, tha kreu i shtetit. /tesheshi.com/