Dritan Demiraj, tekniku demokrat në krye të Ministrisë së Rendit, emëruar aty si “roje” për zgjedhjet, po shndërrohet dita-ditës si njeriu anti-drogë. Në një deklaratë të fundit për media ai ka bërë me dije të dhënat e operacioneve më të fundit që kanë çuar në kapjen e tonelatave drogë, në Vlorë e Kavajë. Ai ka premtuar se kjo luftë do vijojë deri në pastrimin e plotë të territorit shqiptar nga bimët narkotike dhe industria e drogës.
“Janë disa zona shumë të vogla të cilat po identifikohen dhe menjëherë policia do të bëjë asgjësimin e bimëve. Kemi prova dhe evidenca, pasi kohë më parë ju e dini që ndonjëherë policia padrejtësisht është akuzuar që nuk e asgjëson drogën, duke hamendësuar për veprime të tjera. Jo, në këtë drejtim policia bën menjëherë identifikimin, djegien dhe siguron provat. Ne jemi të vendosur të pastrojmë përfundimisht Policinë e Shtetit nga ata zyrtarë që kanë qenë apo janë të përfshirë në trafiqe. Unë mund të them që sasia e mbjelljes se drogës është shumë e vogël dhe se po punojmë intensivisht, por nuk mund të them me përgjegjësi që nuk ka asnjë rrënjë. Do vijojmë këtë luftë jo vetëm me policinë dhe Ministrinë e Brendshme, por me të gjitha strkturat”, ka deklaruar Demiraj.
Veçohet në sjelljen e tij dhe shmangia e pozicioneve politike. Ilustrim i kësaj është falenderimi që ai ka përcjellë për vartësin e tij të mazhorancës, kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako, që për një pjesë të opozitës, LSI-së më saktë, është etiketuar si “Haki Droga”. Por për Demirajn nuk është ashtu.
“Falenderoj Haki Çakon, drejtuesit e policisë së Vlorës, FNSH-në dhe çdo polic tjetër që ka marrë pjesë në këtë aksion”, ka shtuar Demiraj në deklarimet e tij. /tesheshi.com/