Shoqata e Familjeve të Dëshmorë, invalidëve dhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së, janë shprehur të pakënaqur ndaj vonesave të publikimit të të gjitha listave paraprake për këto kategori, duke fajësuar disa komandantë që nuk po nënshkruajnë listat.
Në reagimin e tyre thuhet se ata kanë vëzhguar me kujdes procesin e verifikimit dhe të ankesave dhe presin që sa më parë të bëhet publikimi i të gjitha listave paraprake.
Në këtë reagim thuhet se komandantët të cilët ende nuk i kanë nënshkruar listat paraprake dhe e kanë vonuar publikimin, duhet të kenë parasysh, se me veprimin e tyre po i dëmtojnë në radhë të parë mijëra veteranë me kushte ekstrem të rënda ekonomike-sociale.
“Ne i apelojmë të gjithë komandantëve që ende nuk i kanë kryer detyrat e tyre në Komision, të i kryejnë ato sa më shpejtë, në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më parë.
Këtë e kanë obligim në radhë të parë moral, ndaj ish ushtarëve të tyre. Duhet pasur parasysh se ligji është miratuar në prill 2014 dhe i njëjti nuk është vënë në zbatim, për shkak të neglizhencës së atyre që kanë përgjegjësinë e verifikimit dhe publikimit të listave.
Ky proces kaq i nevojshëm për veteranët e luftës, nuk duhet të politizohet nga askush, sidomos nga ato parti që e kanë votuar vet këtë ligj në Kuvend, sepse të dëmtuar janë vetëm veteranët e luftës”, thuhet në komunikatë. /tesheshi.com/