Doktori kosovar i shkencave juridike me origjinë boshnjake, Esmir Kasi, është nga ata që tenton të potencojë se në Kosovë ka një komunitet boshnjak, të cilit i takon dhe të jetë faktor në shoqërinë kosovare.
Ai beson se madhësia e një grupi, komuniteti apo kombi nuk varet domosdoshmërisht nga numri i tyre, por nga fakti nëse ato janë një faktor që mund të ndikojë në tendencat socio-politike në pjesën e sipërfaqes së tokës ku ata jetojnë.
“Dëshmi për këtë është fakti se sot kemi më shumë se një miliard myslimanë që thithin ajrin në tokë, por që nuk kanë asnjë përqindje të vetme në nivel ndërkombëtar në fushën e shkencës dhe teknologjisë”, shpjegon Kasi në një intervistë për agjensinë FENA.
Dhe jo vetëm kaq, shton ai, “po ky det prej një miliard anëtarësh nuk është në gjendje as t’i mbrojë anëtarët e tij nga krimet monstruoze kundër njerëzimit dhe gjenocidi që po përjetojnë kohët e fundit”.
“Situata është e njëjtë edhe me boshnjakët në Kosovë. Edhe pse nuk i kemi ende rezultatet zyrtare të regjistrimit, me përgjegjësi pohoj se jemi mjaftueshëm për të qenë faktor i domosdoshëm në krijimin e politikës shtetërore”, thekson Kasi.
Fatkeqësisht, shton ai, “pozicioni ynë në Kosovë mund të krahasohet me një vazo porcelani që qëndron në një cep të dhomës. Ka shumë arsye dhe shkaku është brenda nesh”.
Gjeografikisht, përqendrimi më i madh i boshnjakëve është në jug të Kosovës.
Duke marrë parasysh krizën aktuale ekonomike-sociale, të sigurisë dhe politike në botë, i pyetur se si jetojnë boshnjakët në Kosovë, Kasi thotë se situata është mjaft e mire, por jo mjaftueshëm mirë.
Sa i përket aspektit të sigurisë, ai thekson: “Mund të themi se ka tolerancë dhe respekt të ndërsjellë mes qytetarëve të Kosovës që i përkasin kombeve të ndryshme dhe që është në nivel të lakmueshëm”.
Por shton: “Sa i përket të drejtave, teorikisht jo vetëm që jemi të barabartë me komunitetin shumicë, por jemi të privilegjuar edhe në fusha të caktuara, ama në praktikë lirisht mund të themi se boshnjakët nuk kanë asnjë të drejtë”.
Ai kujton se më herët, gjatë aktiviteteve të tij politike, shpesh thoshte se boshnjakët i kishin në koma telefonat. “Dhe unë gjithmonë kisha frikë se dikush do t’i fikte”.
“Sot, për fat të keq, kam filluar të besoj se dikush i ka fikur ato aparate dhe se dekadat e ardhshme janë dekadat e boshatisjes së boshnjakëve në Kosovë, sepse shumica janë larguar përgjithmonë, ndërsa pakica e mbetur ka filluar procesin e asimilimit”, thotë Kasi.
I pyetur nëse boshnjakët kanë të drejtë për gjuhë, kulturë, arsim dhe cili është qëndrimi i përgjithshëm i shtetit ndaj boshnjakëve dhe komuniteteve pakicë, Kasi beson se shteti bën pak në këtë drejtim.
“Për të asimiluar një komunitet, mjafton t’i vështirësohet përdorimi i gjuhës amtare dhe më pas të dobësohet arsimi në gjuhën amtare dhe kjo po zbatohet me sukses edhe në vendin tone”, beson Kasi.
Në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, janë formuar disa qeveri, “dhe të gjitha kanë të përbashkët se nuk kanë treguar shqetësim të sinqertë për zhvillimin e pakicës kombëtare në Kosovë, sidomos në periudhën e fundit kur prezenca e komunitetit ndërkombëtar është në rënie”.
“Megjithatë, nuk do të ishte e drejtë që për këtë problem të fajësoheshin vetëm përfaqësuesit e shumicës. Ata mund të kenë axhendën e tyre në të cilën nuk ka shumë hapësirë për ne. Dhe kjo është disi e kuptueshme, por që përfaqësuesit tanë po i ndihmojnë aktivisht në atë proces, realisht nuk ka vend për mirëkuptim. Pa asnjë dyshim, ata janë më përgjegjës për rrezikimin e mbijetesës së boshnjakëve në këto zona”, tregohet kategorik Kasi.
Asgjë shtesë, shton ai, mjafton që ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës, “dhe pas kësaj krijojnë mekanizma për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive tona që i njeh ky dokument”.
“Keqkuptimet që ekzistojnë mes këtyre dy kombeve janë një arsye e rëndësishme që rregullisht e nxjerr jashtë agjendës çështjen e statusit të boshnjakëve dhe të drejtave të tyre”, thotë ai.
“Në stilin ‘fillim t’i zgjidhim keqkuptimet, pastaj do të merremi vesh lehtësisht me ju’, kjo po vazhdon prej dekadash dhe si rrjedhojë e vështirëson mbijetesën e boshnjakëve në Kosovë”, pohon Kasi.
I pyetur nëse boshnjakët kanë komunën e tyre në Kosovë, ai thotë se nuk e kanë për shkak të përçarjes brenda korpusit boshnjak, por edhe për shkak të zgjedhjes së gabuar të përfaqësuesve politikë.
“Për sa i përket komunave, përçarja brenda komunitetit tonë, zgjedhja e gabuar e njerëzve që na përfaqësojnë, mungesa e mbështetjes dhe mungesa e interesit nga ana e faktorëve të rëndësishëm rajonalë boshnjakë, janë arsyeja kryesore pse ne nuk mund të realizojmë të drejtën e decentralizimit dhe ofrojmë shërbime për qytetarët tanë në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë”, shpjegon Kasi.
Migrimi është një proces i nisur prej kohësh, “dhe fatkeqësisht shumica e popullsisë sonë tashmë është larguar përgjithmonë nga vatra e tyre, ky është realiteti ynë, e përsëris edhe një herë fatkeqësisht”.
“Megjithatë, unë besoj se do të vijnë ditë më të mira për njerëzit tanë dhe mbi të gjitha dua të besoj se do të vijë dita kur në Bosnje do të shfaqet një lider i cili do të punojë për të lidhur të gjithë boshnjakët, pavarësisht se ku jetojnë”, tha ky doktori kosovar i shkencave juridike me origjinë boshnjake. /tesheshi.com/