Në zbatim të programit të bashkëpunimit për vitin 2015 midis Forcave tona të Armatosura dhe Forcës Detare Shqiptare me Flotën Detare të Republikës së Turqisë, nga data 13 deri më 15 shtator 2015, po zhvillon një vizitë portuale në Durrës, Anija e Rojes Bregdetare Turke “TCSG YASAM, 704”.
Qëllimi i kësaj vizite është trajnimi dhe bashkëveprimi midis Forcës sonë Detare dhe Anijeve të Rojes Bregdetare Turke për operacionet e kërkim-shpëtimit në det. Fillimisht, mëngjesin e datës 13 shtator, anija “TCSG YASAM’ u prit ne ujërat tona territoriale nga Anija jonë e Rojes Bregdetare “ARCHANGEL-04” me kapiten Preng Gjergji.
Ndërkohë zhytësat tanë të Qendrës së Zhytjeve Pashaliman, kapter Hair Velaj, N/tetar Armando Bani dhe zhytësi i vogël Flavio Velaj, herët në mëngjes kishin kontrolluar ujërat brenda molit nr.4, ku do bregëzohesh anija turke. Më pas kuadro të Grupit të II-të Patrullues me VB në Kepin e Palit dhe kuadro të Shtabit të FD i uruan mirëseardhjen Anijes “TSCG Yasam”.
Anija e Rojes Bregdetare turke do qëndrojë në portin e Durrësit deri më datën 15 shtator. Paraditen e datës 14 shtator kuadrot drejtues të anijes turke do zhvillojnë vizita në Komandën e Forcës Detare, Bashkinë e Qytetit Durrës, me Prefektin dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut Durrës. Ndërkohë në program, ditën e 15 shtatorit përfshihen dhe vizita të personaliteteve të larta ushtarake dhe vendore si dhe vizita të qytetarëve në bordin e anijes.
Gjithashtu personeli i anijes do zhvillojë vizita në qendrat muzeale dhe kulturore të qytetit të Durrësit, si muzeun arkeologjik, amfiteatrin dhe muzeun etnografik. Krahas aktiviteteve me autoritetet dhe komunitetin civil, ekuipazhi i anijes turke do zhvillojë stërvitje të përbashkët me efektivat e anijeve të Grupit të II-të Patrullues të Flotiljes sonë Detare, kryesisht ato me tematikë “PASSEX”, sinjalistikë detare, sinjalet e komunikimit, patrullim i përbashkët, procedurat dhe operacion bordimi, bllokimi i elementëve terroristë në det, etj. Mbasditen e datës 15 shtator anija turke “TSCG YASAM” 704, do largohet nga porti i Durrësit.
Përmasat i ka: 88x12x12 m. tonazhi-1775 t. shpejtësia-22 nyje.
Është prodhim i vitit 2012, në përdorim të Rojes Bregdetare Turke.
Përgatiti: Mark Brunga – tesheshi.com