Trajneri i Spanjës, Julen Lopetegui, i ka shtuar një tjetër emër listës së lojtarëve që po bëhen gati të ndeshen gjatë kësaj jave me Italinë dhe Shqipërinë.
Ai ka thirrur në përfaqësuese Ander Herrera-n, mesfushorin që ka bërë së fundi paraqitje të mira me Mançester Junajtedin në kampionatin anglez. Herrera prej së hënës është gjendur në Madrid, duke iu bashkuar përfaqësueses në kompleksin stërvitor.
27-vjeçari është aktivizuar me përfaqësueset spanjolle të moshave, ndërkohë që është hera e parë që ai merr një ftesë të tillë.
Ende nuk ka një pohim se kë do të zëvendësojë Herrera, por mediat spanjolle e vënë gishtin te Saul Niguez. Lojtari i Atletikos së Madridit nuk është stërvitur të hënën, çka lë vend për të besuar se ai mund të mungojë në dy takimet.
Shtypi britanik shton dhe emrin e Thiago Alcantara-s si njëri prej lojtarëve spanjollë me probleme fizike, për çka është thirrur dhe Herrera.
Javi Martinez do të zëvendësohej më herët me mbrojtësin e Real Sociedadit, Inigo Martinez, pikërisht për arsye fizike.
Si Saul, ashtu dhe Thiago Alcantara, janë dy lojtarë mjaft cilësorë, e mungesa e çdonjërit prej tyre do të ishte një lajm i mirë për përfaqësuesen e Shqipërisë përpara takimit me Spanjën. /tesheshi.com/