Mbështetja për partinë e Ligës së drejtuar nga ministri i Brendshëm italian, i vijës së ashpër, është rritur nga 17 për qind në mars në rreth 30 për qind.
Matteo Salvini tashmë zotëron mbështetje të fortë si në territoret veriore tradicionale të Ligës ashtu edhe në jugun më të varfër.
Popullariteti i ministrit të Brendshëm italian, të vijës së ashpër, Matteo Salvini, po rritet ndërsa ai ushqehet me emocionet e një kombi në dëshpërim të cilit i drejtohet njësoj sikur të ishte ende në fushatë zgjedhore.
Nuk kishte vend më të dukshëm për ta vërtetuar këtë, sesa funerali shtetëror i së shtunës së kaluar për 19 nga 43 njerëzit e vrarë në shembjen e urës Morandi në Xhenova. Brohoritje dhe përqafime e pritën Salvinin, po ashtu zëvendëskryeministër dhe lider i së djathtës ekstreme Liga, dhe partnerin e tij të koalicionit, Luigi Di Maio, liderin e lëvizjes anti-rrymë, “Pesë Yjet”, ndërsa ata mbërritën për ceremoninë.
Për kontrast, neveritja e thellë për qeverinë e mëparshme të Italisë u reflektua në fyerjet e lëshuara ndaj anëtarëve të partisë Demokratike të qendrës së majtë.
Në atë që disa e përshkruajnë si një moment vendimtar, shumë italianë nuk po llogarisin vetëm një reagim të fortë dhe të shpejtë ndaj tragjedisë prej liderëve të tyre, por po ashtu po varin shpresat tek ata për zgjidhjen e problemeve kronike, që nga papunësia tek korrupsioni, që kanë qenë barrë mbi shpatullat e vendit për dekada me radhë.
Për më tepër, disa janë duke parë te Salvini një shpëtimtar, një person që admirohet nga mbështetësit për konsekuencën e tij po aq sa përbuzet nga kritikët për retorikën anti-emigrantëve.
45-vjeçari ka fluturuar në kreshtën e valës së popullaritetit që prej zgjedhjeve të përgjithshme të 4 marsit, e tashmë ka një mbështetje të fortë si në territoret veriore tradicionale të Ligës ashtu edhe në jugun më të varfër. Mbështetja ndaj partisë është pothuajse dyfishuar nga 17 për qind në fillim të marsit në rreth 30 për qind, sipas sondazheve më të fundit të opinionit publik. Rreth dy të tretat e mbështetësve të tij të rinj janë ata që abstenuan në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër kishin votuar më parë për partinë Demokratike, lëvizjen “Pesë Yjet”apo Forza Italia të Silvio Berluskonit.
Qasja e tij e ashpër ndaj emigracionit, që ka bërë që Salvini të refuzojë të drejtën e ankorimit në portet italiane të disa anijeve të shpëtimit, që prej qershorit, është një faktor kyç për rritjen e mbështetjes së partisë së tij.
“Një numër domethënës abstenuesish tashmë e simpatizojnë Salvinin”, thotë Antonio Noto, kreu i kompanisë së sondazheve IPR. “Po ashtu ai po rrit konsensusin për të në jug, me votuesit e lëvizjes ‘Pesë Yjet’që tashmë mbështesin Ligën”.
“Njerëzit e shohin atë si një ‘njeri të fortë’- emigracioni ka qenë një temë e rëndësishme gjatë fushatës elektorale dhe do të vazhdojë të jetë kështu”, shton ai.
Një sondazh më herët këtë muaj gjeti që 60 për qind e italianëve kishin besim në koalicionin qeveritar. Ndërsa hetimet për shkakun e shembjes së urës Morandi vazhdojnë, madje, edhe ata që ndjehen të lodhur nga politikanët, ndjejnë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të kenë besim në lidershipin e tyre.
Nota të përzemërta erdhën për Salvinin edhe nga Andrea Bocelli pasi ministri ishte mes të ftuarve në shtëpinë e pushimit të tenorit të famshëm në Forte dei Marmi, Toskana. “Nuk jam marrë kurrë me politikë në jetën time, por le t’u japim kohë”, u tha Bocelli gazetarëve lokalë pas mbrëmjes. “Nga natyra, jam i prirur të kem besim… nëse loja luhet keq, atëherë është keq, por nëse luhet mirë, atëherë unë do të ruaj besimin”.
Takimi i pazakontë, që erdhi disa orë pas funeralit në Xhenova, u negociua nga Susanna Ceccardi, kryebashkiake e Cascina-s, që në vitin 2016 ishte qyteti i parë i Toskanës që ra nën kontrollin e Ligës pas 70 vjetësh lidershipi të majtë. Pisa, Siena dhe Massa e pasuan atë në zgjedhjet lokale të qershorit këtë vit.
“Ndryshimi ishte kryesisht për shkak të faktit që e majta nuk shkoi kurrë në zonat më të varfra apo në mbrojtje të njerëzve atje”, thotë Ceccardi për arritjen e Ligës në Toskanë.
Davide Cinini ishte mbështetës i partisë Demokratike në pisa përpara se të bashkohej me Ligën në vitin 2015. “Kaq shumë njerëz, sidomos që prej marsit, mbështesin Salvinin”, thotë ai. “E majta nuk u përgjigjet më nevojave të popullit. Salvini është si njëri prej nesh, ai nuk fshihet… ai vjen të na takojë, flet me ne, bën fotografi me ne”.
Në korrik, Salvini tha gjatë një debati televiziv që atij nuk i pëlqente të “kalonte kohë në zyrë”, duke preferuar “të shkonte në sheshe”, të fliste me njerëzit drejtpërdrejt dhe “t’u thoshte të vërtetën”, që gazetarët nuk ua thonë.
Një mjeshtër komunikimi, llogaritë e tij në median sociale shfaqin shpesh selfie të shkrepura në të gjithë Italinë me mbështetës – nëpër rrugë, në një plazh apo në një bar.
Një burim në ministrinë e Brendshme pretendon se votuesit po reagojnë ndaj Salvinit duke e konsideruar se ai po ndjek strategjinë e tij me “forcë dhe kurajo”.
Por, ndërsa vera po ikën, sfida të mëdha ekonomike, si paraqitja e objektivave fiskalë në fund të shtatorit, kanë gjasa të përcaktojnë nëse popullariteti i tij do të rezistjë. Qeveria ka kërcënuar të mos përfillë rregullat e deficitit të BE-së në mënyrë që të përmbushë zotimet për reduktim të taksave, garantimin e një të ardhure për të varfrit dhe anulimin e një rritjeje të planifikuar të TVSH-së.
“Efekti Xhenova me gjasa do të jetë afatshkurtër… mbështetja me gjasa do të bjerë pas ligjit buxhetor”, thotë Noto.
Ndërkohë, ndërsa ngadalësohet numri i emigrantëve që mbërrijnë nga deti, siç është normale në vjeshtë dhe në dimër, besueshmëria e Salvinit si ministër i Brendshëm ka gjasa të testohet.
“Pozicioni është serioz dhe ka nevojë të ushtrohet me kujdes, jo me rritje të frikës”, thotë Enzo Bianco, ministër i Brendshëm midis viteve 1999 dhe 2001 dhe kryebashkiaku i Katanias deri në qershor.
“Për momentin, ai nuk është në ministri për të qenë ministër i Brendshëm, ai po bën politikë që për të është strategji që funksionon – ai mbledh konsensus duke shfrytëzuar frikën dhe zemërimin që janë emocionet më të dukshme sot. Është shumë farë politikë populiste. Ai duhet të vendosë – do të vazhdojë të luajë me këto emocione apo do të garantojë sigurinë?”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/