Nga Luljeta Progni
Shqipëria është vendi i dytë pas Sirisë për numrin e azilkërkuesve në vendet e BE, kryesisht në Gjermani.
Ky është fakt i publikuar nga statistikat e qeverisë gjermane të bëra publike në deklarata të vazhdueshme për shtyp nga ministri i Brendshëm i Gjermanisë Thomas de Maiziere. Nga muaji janar i këtij viti e deri në fund të korrikut kanë kërkuar azil në Gjermani 29.857 shtetas shqiptarë.
Por ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, nuk është dakord me këtë shifër zyrtare të publikuar nga homologu i tij gjerman. Tahiri tha sot në konferencë për mediat se: “Shifrat e deklaruara nga Gjermania apo BE nuk përputhen me shifrat tona në pikat kufitare të vendit tonë”, tha Tahiri.
Me këtë deklaratë, Tahiri u përpoq të konfirmojë qëndrimin e bërë dje publik nga kryeministri Rama se shqiptarët azilkërkues në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, janë rezident në Greqi. Në komunikimin me ndjekësit e tij në rrjetet sociale Rama tha për shifrat e azilkërkuesve: “E perseris shumica e shqiptareve qe ikin ne Gjermani janë shqiptarë që ikin kryesisht nga Greqia po jo vetëm. Sigurisht dhe nga këtu”.
Deklarata e Ramës dhe më pas ajo e Tahirit, duket të jetë një përpjekje për të kamufluar shifrat e braktisjes së qytetarëvë shqiptare nga vendi i tyre të cilat konfirmojnë krizën e papunësisë dhe të varfërisë në Shqipëri. Natyrisht që ata e kanë të vështirë të pranojnë dështimin e tyre në qeveri por është po kaq e vështirë të bësh shqiptarët të besojnë se ata nuk po nisen nga vendi i tyre drejt Gjermanisë, por nga Greqia dhe më e vështirë akoma t’i bësh të besojnë se shifrat zyrtare të Gjermanisë për numrin e azilkërkuesve shqiptare nuk janë të vërteta. Në se kthehemi pak në kohë, jo shumë pas, por vetëm në dhjetor ose në janar, shkurt apo mars, duket qartë alarmi i Ramës, Metës, Tahirit dhe të tjerëve për shifrat e eksodit shqiptar drejt Gjermanisë.
Kryeministri Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bashkë me zyrtarët e tjerë të kësaj mazhorance ministra apo deputetë, e kanë pranuar eksodin masiv të qytetarëve shqiptarë drejt Gjermanisë muaj më parë kur e cilësuan si një fenomen që po vjen nga trafikantët.
Nga Kukësi ku nisi e u bë më i dukshëm problemi i rritjes së azilkërkuesve, Rama e Meta i bënë thirrje shqiptarëve të mos bien pre e trafikantëve që premtojnë azil në Gjermani apo edhe vende të tjera.
Si nisi eksodi/ Dhjetor 2014, 600 persona në Vlorë për tu nisur drejt Gjermanisë
Në dhjetor të vitit të kaluar rreth 600 persona u ndaluan në portin e Vlorës pasi u konstatua se ishin nisur drejt Gjermanisë ku do të kërkonin azil. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Helmut Hoffman dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shkuan menjëherë në Vlorë, nga ku deklaruan se Gjermania nuk do të japë azil për shqiptarët pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta.
Nga Vlora, ambasadori Hoffman deklaroi se përgjatë vitit 2014, numri i shqiptarqve që kërkojnë azil në Gjermani është rritur. Shifra e azilkërkuesve shqiptarë pësoi rritje të ndjeshme gjatë janarit të këtij viti kur 1648 shtetas shqiptar kërkuan azil në Gjermani. Shifra nisi të rritej nga muaji në muaj bashkë me alarmin e qeverisë gjermane për të ndalur këtë eksod të shiptarëve drejt vendit të tyre.
Zyrtarë të lartë të qeverisë gjermane i bënë thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa për të ndalur këtë fenomen.
Masat e policisë në pikat kufitare
Policia Shqiptare mori një sërë masash për të ndalur eksodin drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera të BE-së, duke nisur me hetimine disa kompanive turistike të cilat u akuzuan për stimulimine këtij fenomeni. Gjatë muajit mars e në vazhdim nisi kontrolli i rreptë në të gjtiha pikat kufitare, ku kontrolloret pyesin imtesisht personat që niseshin për udhëtim jashtë vendit. Në këtë kudër masash, policia shperndau qarkoren e brendshme, ku nga 12 drejtoritë e qarqeve kërkohej informacion rreth të dhënave për personat problematikë, të dyshuar si mbështetës të shifrave në rritje të azilkërkuesve.
Pas një kontrolli disaditorë në të gjitha pikat kufitare, policia deklaroi zyrtarisht se ne 10 ditet e fundit, në total ishin ndaluar për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian 1 mije e 850 persona. Policia kufitare nisi operacionin gjatë muajit prill dhe kjo lëvizje u prit me shumë kritika nga mediat pasi u vlerësua si pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Këto deklarata e shifra janë larg asaj që deklaron kryeministri dhe ministry i brendshëm që azilkërkuesit shqiptar nisen nga Greqia drejt gjermanisë dhe jo nga Shqipëria. Pra sipas kryeministrit ata janë emiogrant shqiptar në Greqi që po largohen prej andej si pasojë e krizës greke, në përppjekje për të mohuar se krizë e thellë ka mbërhyer Shqipërinë. Edhe në se kjo është e vërtetë, ngado që të nisen ata qytetar shqiptarë për të kërkuar azil në Gjermani janë shtetas shqiptarë për të cilët kryeministri dhe qeveria e tij ka detyrë të përgjigjet dhe jo të përgënjështrojë shifrat e qeverisë gjermane për numrin e azilkërkuesve shqiptare. /tesheshi.com/