Nga Bashkim Kastrati
Pala kosovare do të duhej që të insistonte që pjesë e bisedimeve me Serbinë të jenë edhe shumë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kur kanë filluar bisedimet ndërmjet dy palëve liderët e Luginës e kanë kërkuar këtë gjë nga Qeveria e Kosovës, por që nuk është përfillur. Nga këto bisedime dhe marrëveshje mund të përfitonin edhe qytetarët e tri komunave të Luginës, por ata nuk u morën në konsideratë nga bashkëkombësit e tyre që udhëheqin me Qeverinë e Kosovës.
Kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik Jonuz Musliu, në një deklaratë për media pati deklaruar se shqiptarët e Luginës së Preshevës doemos duhen të jenë pjesë e grupit negociator mes të Prishtinës dhe Beogradit, pasi që ka shumë çështje që duhet biseduar dhe se qytetarët e atyre komunave duhet të kenë të drejta sikur qytetarët serbë që i kanë në Kosovë.
Gjithashtu edhe Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, pati deklaruar që në fillim të bisedimeve kanë kërkuar që edhe përfaqësuesit e Luginës të jenë pjesë e bisedimeve.
“Ne kemi një shpresë se nuk do të jemi të lënë anash në këtë drejtim, pasi që me përbërjen e një plani urgjent, të përbërë prej shtatë pikave të cilin ia kemi dërguar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, dhe insistimi i ynë është që këto tema apo problem të cilat po na preokupojnë neve shqiptarëve të Luginës të hapen edhe në Bruksel”, ka thënë Arifi. Por kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk u morën fare parasysh, dhe gjendja e të drejtave të tyre mbetet e njëjtë.
Sipas analistëve, pala kosovare është dashtë që në kuadër të kompromiseve të kërkojë marrëveshje që garantojnë të drejta dhe përkrahje nga Qeveria e Serbisë edhe për shqiptarët që jetojnë në tri komunat me shumicë shqiptare.
Kushtrim Gashi analist politik, ka thënë për tesheshi.com se pothuajse çdo qeveri e Kosovës duke pasur prioritet mbi prioritete negociatat me Serbinë, e kanë bërë Kosovën vend jo atraktivë për të jetuar për shqiptarët dhe shumë atraktivë për serbet.
Ai thotë Qeveria e Republikës së Kosovës në bisedimet me Serbinë duhej që të përcaktonte vijat e kuqe dhe të mos lëshoj pe, në mënyrë qe të pamundësojnë asimetri pushtetesh.
Ajo se çfarë iu dha Asociacionit të komunave serbe është dashur që të përkojë me dokumentet ndërkombëtare, përkatësisht me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe nuk është dashur që të tejkalohej ajo. Kosova me marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe ka lejuar që aplikohen modele të cilat nuk janë aplikuar askund në botë dhe kësisoj vendi ynë po bëhet një vend eksperimental.
“Nëse veriu i Kosovës u bë pjesë e bisedimeve politike, atëherë pse të mos ishte edhe Lugina e Preshevës, meqenëse të gjithë e dimë se edhe kjo pjesë ka rrethana të veçanta dhe gjendja e kësaj treve shqiptare patjetër qe do të duhej nga Qeveria e Kosovës të përfshihej në agjendën e bisedimeve”, ka thënë Gashi.
Ai thotë se sikur të shtrohej në tavolinën e bisedimeve çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe të kushtëzohej me të drejtat e serbëve në Kosovë, rezultati i bisedimeve do të ishte ndryshe nga ky i tanishmi.
“Në njërën anë shqiptarët në Luginë do të përfitonin më shumë të drejta, ndërsa në anën tjetër Asociacioni nuk do të kishte këto kompetenca të zgjeruara”, thotë Gashi.
Qeveria harroi shqiptarët e Luginës
Blerim Burjani, analist politik ka thënë për tesheshi.com se dimensioni politik i udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare ka shkuar në kahe tjetër në sigurimin e mbrojtjes se të drejtave serbe në Kosovë.
“Kjo tematikë ka përfshirë raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat nuk ishin asnjëherë objekt trajtimi i shqiptarëve në Serbi, kuptohet këto marrëveshje i kanë kushtuar Kosovës në zbehje të dukshme të shtetësisë. Normal do të duhet të kishte reciprocitet, por është trajtuar problemi i pakicës serbe sikur të ishin viktimë në realitet u harruan shqiptaret në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës”, theksoi Burjani.
Krenar Shala, opinionist ka thënë për tesheshi.com se problemi qëndron në faktin që Qeveria e Kosovës, që një kohë relativisht të gjatë tashme, vuan nga sindroma i keqqeverisjes dhe se ky sindromë është duke e dobësuar tej mase pozicionin diplomatik të Kosovës karshi rregullimit të problemeve me fqinjët.
“Problemi i dytë qëndron tek arkitektura e sistemit ndërkombëtare. Tanimë është evidentë që është duke u zhvilluar një luftë e egër diplomatike në mes të perëndimit dhe Rusisë, luftë e cila është shtrirë edhe në rajonin e Ballkanit. Si pasoje, përendemi ka interes strategjik që rajoni i Ballkanit të pozicionohet qartë dhe në mënyrë konkretë tek rruga që e shpie në gjirin e saj. Për të bërë të mundur këtë, shtetet që kanë me pak potencial destabilizues, pra si puna e Kosovës, duhet me shume të jenë të gatshme të ofrojnë kompromis për të bere të mundur arritjen e qëllimeve strategjike perëndimore”, thotë Shlala.
Edhe komunat e Luginës kërkojnë asociacion
Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka thirrur politikanët e Luginës së Preshevës për të debatuar me një zë, si dhe urgjentisht të ftohet Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar për nisur veprimet e nevojshme politike drejt realizimit të së drejtës për vetëvendosje.
KKSH thotë se Lugina e Preshevës duhet të ketë formën e organizimit administrativo – territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit dhe shërbimet sociale.
“Në kohën kur rajoni ka hyrë në fazë përfundimtare të bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, kur tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor synon përshpejtimin e procesit në rrjedhat e integrimeve euroatlantike, Këshilli Kombëtar Shqiptar sheh nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete dhe të koordinuara për zgjidhjen e çështjeve teknike e që prekin në realitet edhe çështjet jetike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në frymën e proceseve integruese që po zhvillohen në Evropë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e KKSh-së. /tesheshi.com/