Shumë njerëz mendojnë se media sociale ka qenë një lehtësi për rritjen e lëvizjeve sociale dhe politike nga baza, dhe është e kuptueshme përse ka lindur një perceptim i tillë. Rritja e Facebook, Tëitter dhe teknologjive të tjera që nga mesi i viteve 2000 ka koinciduar me shtimin e trazirave popullore gjatë së njëjtës periudhë. Si kur bëhet fjalë për organizimin e revolucionit në Egjipt apo Iran, gjurmimin e lëvizjes së trupave ruse në Ukrainë apo të dhënat në kohë realë për protestuesit në Sudan, media sociale supozohet se u ka dhënë përparësi aktivistëve.
Bëhet fjalë për një pohim të arsyeshëm – dhe vërtet që ka shumë mënyra me anë të të cilave këto teknologji të reja vijnë në ndihmë. Ndoshta, më e dukshmja prej tyre, është se media sociale ul koston e komunikimit të atyre pyetjeve kyçe “ku, kur, si dhe pse” për protestat që mbledhin një numër të madh njerëzish, ashtu si Tëitter shërbeu për protestat e 2014 të Euromaidanit në Ukrainë. Platforma të tjera si
YouTube, mund të ndihmojnë në popullarimin e njohurive bazë sesi të protestohet në mënyrë efektive sikundër ndihmon lëvizjet për të ndërtuar kapacitetet organizuese. Kur tubimet janë fizikisht të pamundura për shkak të ndalimit nga qeveritë, mbledhjet virtual sin ë Facebook apo Reddit mund të krijojnë forume për sfera publike të reja, që janë të vështira për t’u shtypur.
Optimistët e internetit gjithashtu argumentojnë se takimet online krijojnë hapësirë për dialog në mes të konfliktit, duke paraqitur politika për publikun dhe elitat pavarësisht censurës së qeverisë. Dhe, sigurisht, internet lejon aktivistët të promovojnë narrativën e tyre, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme kur media tradicionale kontrollohet nga qeveria.
Por, pavarësisht nga ky optimizëm, ajo që ndonjëherë quhet “teknoogjia e çlirimit” nuk është në fakt, duke i bërë lëvizjet pro-demokratike më efektive. Është e vërtetë se kemi parë më shumë episode të mobilizimit popullor që nga shtimi i komunikimit dixhital, sesa kemi vërejtur më parë. Por duhet të vëmë re, gjithashtu, se rritja trullosëse e rezistencës jot ë dhunshme ka ardhur në jetë shumë më përpara internetit. Teknika vetëm se ka njohur përdorim më të gjerë që kur Gandi e popullarizoi metodën në vitet 1930 dhe 1940.
Dhe, në fakt, rezistenca jo e dhunshme aktualisht është bërë më pak e suksesshme krahasura me kohët më të hershme, përpara internetit. Nëse gati 70 për qind e fushatave të rezistencës civile ishte e suksesshme gjatë viteve 1990, vetëm 30 për qind e tyre ia kanë dalë mbanë që prej viteve 2010. Përse mund të ndodhë një gjë e tillë?
Ka pak arsye të mundshme. E para, ashtu si e ka dokumentuar me kujdes ekspertja e shkencave politike, Anita Gohdes është sepse qeveritë janë thjesht më të mira në manipulimin e medias sociale sesa aktivistët. Pavarësisht premtimit të hershëm të anonimitetit online, mbikqyrja tregtare dhe qeveritare ka bërë që privatësia e internetit të jetë një gjë e së kaluarës. Qeveria ruse, për shembull, me sukses ia ka arritur të infiltrojë komunikimin e aktivistëve për të parandaluar veprimet e tyre e për të shtypur edhe protestat më të vogla. Këto praktika janë të përdorura edhe në vendet demokratike. Në Shtetet e Bashkuara, programi i paautorizuar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare apo bashkëpunimi i Yahoo-s me qeverinë amerikane për mbledhjen e të dhënave për përdoruesit e tij, janë ndoshta vetëm fillimi. Raporte më të fundit tregojnë se departamentet e policisë lokale monitorojnë median sociale për të mbledhur të dhëna për lagjet përkatëse. Ndërsa në të kaluarën, qeveritë duhet të alokonon fonde domethënëse për të diktuar disidentët, klima e sotme dixhitale i inkurajon njerëzit të shpallin hapur besimet dhe identitetet e tyre politike, sociale dhe fetare – të dhëna këto që lejojnë njësitë e zbatimit të ligjit dhe shërbimetr e sigurisë t’i shënjestrojnë ata shumë më tepër në mënyrë efikase. Sigurisht, ka gjithnjë mënyra që njerëzit të mbrojnë privatësinë e tyre, por pak nga këto teknika mund të rezultojnë të efektshme për një kohë të gjatë ndaj një kundërshtari të përkushtuar.
E dyta, kthimi tek media sociale e lëvizjeve popullore ka degraduar përvojën e pjesëmarrjes. Aktivistët dhe “klik-tivistët” mund të lidhen e të tërheqin vëmendjen për një çështje për një kohë të shkurtër, por nga ana tjetër ata nuk arrijnë të angazhohen tërësisht në betejë. Ndërtimi i besimit tek komunitetit e margjinalizuara apo të shtypura kërkon kohë, përpjekje dhe komunikim të vazhdueshëm, dhe kjo kërkon takime rutinë ballë për ballë për një kohë të gjatë.
Kur lëvizjet mobilizojnë njerëz pa e fituar më parë ndjesinë e besimit dhe unitetit të brendshëm, ato kanë më shumë gjasa të mos i rezistojnë presionit. Pjesëmarrja në aktivizmin dixhital mund të japë përshtypjen se dikush po bën diferencën, por ashtu si thotë skeptiku i internetit, Evgeny Morozov, të krijosh ndryshim të vërtetë kërkon shumë më tepër përkushtim dhe sakrificë.
E treta,media sociale ka një efekt tjetër, atë të mundësimit të faktorëve të armatosur për të kërcënuar apo koordinuar dhunën e drejtpërdrejtë ndaj aktivistëve. Për shembull, në mes të trazirave libiane të vitit 2011, regjimi i Muammar Qaddafi hyri në rrjetin telefonik të vendit, duke dërguar mesazhe që urdhëronin njerëzit të ktheheshin në punë. Ishte një paralajmërim i frikshëm se qeveria po vëzhgonte – dhe se mosbindja do të kishte pasoja. Shkencëtarët politikë, Florian Hollenbach dhe Jan Pierskalla kanë zbuluar se qasja më e madhe në telefoninë celulare në Afrikë është e lidhur me rritje të dhunës.
Në të njëjtën linjë, nëse aktivistët e përdorin median sociale për të raportuar dhunën nga forcat e sigurisë, protestuesit e mundshëm nuk do të dalin të nesërmen në demostrata. Raportime të tilla mund të përcjellin pasoja të paqëllimshme. Në vend që të tërheqin turmat, ato mund të shkurajojnë njerëzit që nuk e duan rrezikun, duke lënë të vetëm organizatorët dhe aktivistët e linjës së ashpër.
E gjitha kjo lidhet me një dizavantazh përmbyllës të rëndësishëm: keqinformimi mund të përhapet në median sociale po aq shpejt, në mos më shpejt, sesa të dhënat e besueshme.
Një argument për këtë pikë janë raportimet e ndërhyrjeve ruse në manipulimin e mjedisit të polarizuar për të ndikuar në zgjedhjet amerikane. Jehonat që ndikojnë aq shumë në median sociale shërbejnë vetëm për të ndarë më shumë shoqërinë sesa për ta bashkuar atë pas një qëllimi të përbashkët.
Madje, edhe ata që kanë qëllime të mira dhe që kërkojnë të lexojnë burime të besueshme pa dashje mund të shkaktojnë probleme. Duke parë rrëzimin e një tirani në një vend fqinj përmes medias sociale mund të inkurajojë disidentët të importojnë taktika në mënyrë të parakohshme, apo metoda që kanë funksionuar në ato vende, me pasoja katastrofike.
Mjafton të mos shkosh më larg sesa Libia apo Siria për të parë rreziqet e këtij efekti. Ishte e lehtë në këto vende të shohin sesi panvera Arabe ndodhi në Tunizi apo Egjipt dhe të dalin në përfundimin, se nëse arrinin të mbledhin turma të mëdha njerëzish në sheshe publike, do të mund të rrëzonin diktatorët e tyre në çështje ditësh. Ky përfundim neglizhonte mobilizimin e viteve të tëra që paraprinë trazirat në Tunizi dhe në Egjipt dhe bëri që libianët e sirianët të kishin më shumë besim në aftësinë për improvizimin e trazirave që do t’ia dilnin mbanë pa dhunë.
Studimi i vitit 1848 nga Kurt Weyland për revolucionet gjeti se disidentët kanë nxjerrë mësimet e gabuara nga revolucionet e mëparshme për shekuj me radhë. Por media sociale, vetëm sa e rëndon këtë dilemë duke inkurajuar llafazanërinë e frazave të thjeshtësuara prej 140 shkrinjash më shumë sesa analizë të qartë e metoda të studiuara.
“Dikur aktivistët përcaktoheshin nga kauza e tyre, ata tani përcaktohen nga mjetet që përdorin”, shkroi Malcolm Gladwell në vitin 2010. Dhe kjo është një gjë e keqe kur vjen puna për të ndërtuar fushata të qëndrueshme popullore. Por në vend që t’i shohin dështimet e kohëve të fundit si dështime të mobilizimit jo të dhunshëm në vetvete, ne duhet të përshtasim një kuptim më kompleks dhe më realist për faktin se të bazuarit më shumë në median sociale ka minuar suksesin e mobilizimit popullor. Nuk është teknika që ka probleme, domosdoshmërisht. Janë mjetet./tesheshi.com/