Mediat hollandeze raportuan për një raport të qeverisë së këtij vendi, ku kërkohej rikthimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë. Raporti do t’i propozohej Bashkimit Europian pas shqetësimit të ripërsëritur të disa vendeve të zonës Shengen për kërkesat e larta për azil që vijnë nga shqiptarët.
Ambasada e Hollandës në Tiranë ka dhënë një përgjigje zyrtare për këtë çështje. Duke i kthyer përgjigje kërkesës së tv Ora Neës ambasada sqaron se raporti ekziston, por akoma nuk është prezantuar zyrtarisht pasi po studiohet nga ministria e Drejtësisë së këtij vendi.
“Ne jemi në dijeni të artikujve të shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial nga policia holandeze për sa i përket zgjerimit të krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë. Ky raport aktualisht po studiohet nga Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë nuk ende nuk i është prezantuar Ministrisë zyrtarisht”- përgjigjet ambasada.
Raporti u pa si një shqetësim nga aktorë politikë vendas, për të cilin reagoi me anë të një statusi në facebook edhe ish-presidenti Bujar Nishani, si dhe kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Shqetësimeve të tyre për rikthimin e vizave për shqiptarët iu përgjigj Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili i quajti këto aludime si politikë vere./tesheshi.com/