Një trajektore vizitash të befta të kryeministrit Rama, nisur me Erdoganin dhe më pas me Mitzotakisin, për të përfunduar te Merkel që po negocionon mes të dyve, është lexuar dhe si rol negociues nga ana e kryeministrit shqiptar.
Kështu aludon gazeta Shqip, e cila shkruan se “gjatë panelit të organizuar nga The Economist në Athinë, kryeministri shqiptar e ka sfiduar audiencën e greke, duke thënë hapur se Presidenti turk nuk është aspak antigrek, se Turqia është vendimtare për sigurinë e Europës dhe se dialogu mes Greqisë e Turqisë është i domosdoshëm për vetë Europën”.
“Në një kuptim – vijon Shqip – ai u ka thënë grekëve se djalli nuk është aq i zi sa duket dhe nuk ka ngurruar të polemizojë me ish-ministren e Jashtme, Dora Bakojanis, duke rrëzuar argumentin se pas prishjes së marrëveshjes së detit me Shqipërinë është dora e Turqisë”.
Sipas gazetës në fjalë, “fjalët e Ramës kanë pasur jehonë në shtypin e të dy vendeve dhe në pasditen e ditës së djeshme, po nga i njëjti forum kryeministri Mitzotakis ka befasuar me shprehjen e tij se është gati të ulet në dialog me Presidentin e Turqisë pa kushte”.
“Pak më vonë shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavushoglu është shprehur se Turqia dëshiron zgjidhje dhe mbështet opsionin e çuarjes së çështjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare; një opsion që përkon me atë të Ramës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Shqipërisë e Greqisë. Miqësia e Kryeministrit shqiptar me Presidentin e Turqisë është fakt i njohur botërisht dhe Rama s’ka ngurruar ta pohojë as kur fuqitë e mëdha janë përplasur me Presidentin turk”, komenton Shqip. /tesheshi.com/