Pas muajsh heshtjeje, humbësi i madh i zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni, Menduh Thaçi, është rikthyer në skenë falë një takimi formal me kundërshtarin e tij klasik në politikë, Ali Ahmeti.
Thaçi, tha se kjo bisedë ishte shumë e nevojshme, duke shtuar se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, porse thjesht bëhej fjalë për një komunikim të hapur dhe transparent mes pozitës dhe opozitës.
“Sigurisht se ne mbajmë përgjegjësi për qëllimet strategjike të shqiptarëve si integrimi në NATO dhe BE si dhe avancimi i pozitës shqiptarëve në një piadestal. I thashë z. Ahmeti se ne do të vazhdojmë ta kultivojmë opozitën shqiptare; ani pse s’kemi shumë vota, por ne kemi mandat dhe këtë mandat nuk do ta tradhtojmë. Por kjo nuk do të thotë që ne mos t’i harmonizojmë qëndrimet me pozitën shqiptare”, theksoi Thaçi. I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë për t’u bërë pjesë e ekzekutivit, ai tha se kjo nuk ka qenë pjesë e bisedimeve.
Ndërkohë ai u zhvendos te Lëvizja BESA në gjykime politike duke thënë se kërkesat e saj, pra ato për të cilat nuk pranoi të hyjë në qeveri, ishin të pakuptimta. E nga ana tjetër BESËN e cilësoi si fituesen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. /tesheshi.com/