Albin Kurti, i cili gjendet në paraburgim nga ku është dërguar në gjykatë, nuk e ka pranuar mbrojtjen e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ku ai akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha se mund të pajtohet me avokaten Fetije Ademi, por theksoi se ajo nuk e përfaqëson atë. “Ndonëse mund të pajtohem me atë çfarë tha mbrojtësja Fetije Ademi, ajo nuk më përfaqëson mua”, ka thënë Kurti.
Ai, duke mos e pranuar avokaten Ademi, ka marrë detyrën mbi vete për t’i parashtruar pyetje dëshmitares, njëherit deputete e PDK, Flora Brovina, për të cilën dyshohet se në seancën 8 tetorit 2015 është alivanosur nga gazi lotsjellës, shkruan “KosovaPress”.
Ai ka shprehur keqardhje që Brovina atë ditë është dashur të kërkojë ndihmë në QKUK.
“A e keni ditur që më datën 8 tetor do të ketë gaz lotsjellës në Kuvend”, ka pyetur Kurti. “Jo”, është përgjigjur deputetja Brovina.
Kurti e ka pyetur Brovinën edhe për atë se ku e ka marrë sëmundjen nga e cila vuan ajo, duke e pyetur nëse përkeqësimi i shëndetit të saj atë ditë ka qenë “proces e jo akt”.
Por Brovina ka thënë se “unë nuk kam dashur që t’i vendosi stendat në burgun e Serbisë. Unë kam intervenuar kur kam dalë nga burgu. Pastaj e kam pasur gjendjen stabile”. /tesheshi.com/