Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për gazetën britanike The Independent se Ballkani Perëndimor po përballet me një rrezik të shtuar të konfliktit ushtarak për shkak të situatës në Ukrainë.
Kurti tha se ky rrezik vjen për shkak se Rusia ka ndikim në Serbi dhe ai beson se Rusia, “në vend që të hapë një front të ri ushtarak, përmes Moldavisë apo shteteve baltike, do të kishte më shumë gjasa që ta bënte këtë me serbinë në Ballkanin Perëndimor.
Gazeta shton se në pikën kufitare në veri të Kosovës “vjeshtën e kaluar ka pasur një grumbullim të trupave, tankeve dhe avionëve luftarakë MiG, si një përshkallëzim për shkak të mosmarrëveshjes me Serbinë për targat e automjeteve”.
Kurti ka ripërsëritur për Independent se Kosova dëshiron të jetë sa më shpejt pjesë e NATO-s dhe se ai “insiston që NATO të jetë shumë më vigjilente se sa është tashmë”.
Sepse, tha ai, “ekziston një lider i fuqishëm në Moskë, i cili për të siguruar të ardhmen e tij politike duhet të avancojë e jo të kërkojë paqe.”
Gazeta britanike shkruan për ngjashmëritë mes luftërave në Bosnje dhe Kosovë në vitet 1990 dhe tani në Ukrainë, dhe se të njëjtën gjë thonë edhe zyrtarët e Kosovës.
“Ky pushtim rus, ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Ekziston një qëllim gjenocidal që rezulton në aspekte logjistike dhe demografike. “Kur shoh se çfarë po ndodh në Kiev, me ngjan një Sarajevë që po përgatitet(nga sulmet serbe)”, shtoi Kurti. /tesheshi.com/