Rreth 45 fëmijë vdesin çdo vit në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ky numër më së shumti shkaktohet nga sëmundja e leuçemisë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Muharrem Avdiu, i cili ka thënë se Pediatria nuk do të mund të ekzistonte pa donacione.
“Në 5 vitet e fundit janë mbi 40 raste të vdekjeve të fëmijëve për çdo vit. Leuçemia e avancuar është shkaku më i shpeshtë që çon në vdekjen e fëmijëve, po ashtu veset e rënda të zemrës, sindromet e ndryshme e sëmundje të metabolizmit”, ka deklaruar Avdiu për gazetën Shneta.
Ai thotë se organizatat dhe institucionet që e kanë ndihmuar Pediatrinë janë shtetet si Italia, Turqia, por thotë se KFOR-i është miku më i madh i Klinikës, derisa shton se edhe bashkatdhetarët dhe qytetarët kanë dhënë një ndihmë të madhe.
Ndërsa pohon se QKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë pranuar shumë investime.
“Kohë pas kohe kemi investime dhe nuk mundem me thënë se nuk na ndihmojnë, por mundem me thënë se kur bëhet fjalë për Pediatrinë, e ‘shtrëngojnë dorën’. Por bëjmë edhe presion dhe jemi të vendosur në kërkesat tona”, ka deklaruar Avdiu.
Pediatria ka rreth 38 mijë vizita gjatë një viti, ndërsa mbi 6 mijë raste hospitalizohen. /tesheshi.com/