Valdrin Pjetri është “dorëzuar” më në fund. Njeriu që ka pështjelluar sërish keqazi politikën shqiptare, duke e futur në një tjetër qorsokak krize, ka dhënë dorëheqjen nga kreu i ri i Bashkisë së Shkodrës.
“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, deklaron Pjetri në një sqarim publik, ku ndër të tjera thotë se ajo që i ka ngjarë 17 vite të shkuara, ka qenë një ngjarje banale, për të cilën, siç thotë, nuk ka menduar kurrë se do t’i sillte kaq kokëçarje.
“Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës.
Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20-vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.
Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem.
Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, shprehet Pjetri.
Ai në fund i vë dhe një vulë morale aktit të tij, kur deklaron patetikisht: “Ishte një endërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai”.
Tashmë, vetëlargimi i tij e bën më të komplikuar situatën politike. Pasi, tashmë do të duhet që presidenti të shpallë zgjedhje të pjesshme për Shkodrën. Por siç dihet, Meta nuk e njeh 30 Qershorin prej nga doli Valdrin Pjetri. /tesheshi.com/