Izraeli dhe Arabia Saudite janë “afër një marrëveshjeje historike”, tha të premten kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nga podiumi i OKB-së, duke vendosur se palestinezët nuk kanë të drejtën e vetos mbi marrëdhëniet izraelito-arabe.
Duke kujtuar normalizimin e marrëdhënieve me vendet e treta arabe në vitin 2020, të cilin ai e quajti “agimi i një epoke të re”, Netanyahu tha se “jemi pranë një përparimi edhe më spektakolar, një paqeje historike midis Izraelit dhe Arabisë Saudite”.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, tha gjithashtu në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan Fox News se monarkia sunite dhe shteti hebre “po i afrohen çdo ditë më shumë” një normalizimi të marrëdhënieve të tyre.
“Një paqe e tillë mund të bëjë shumë për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-arab, për të inkurajuar vendet e tjera arabe që të normalizojnë marrëdhëniet e tyre me Izraelin, për të rritur mundësitë e paqes me palestinezët“, tha sot Netanyahu.
“Unë nuk besoj se ne duhet t’u japim palestinezëve të drejtën për të vënë veton ndaj traktateve të reja të paqes me shtetet arabe,” theksoi ai në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “Palestinezët mund të përfitojnë shumë nga një paqe më e gjerë. Ata duhet të përfshihen në këtë proces”.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas paralajmëroi të enjten, gjithashtu nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme, se nuk do të ketë paqe në Lindjen e Afërt dhe të Mesme pa marrë parasysh “të drejtat legjitime të popullit të tij”, duke nënkuptuar zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete. “Ata që mendojnë se paqja mund të mbizotërojë në Lindjen e Mesme pa popullin palestinez, pa të drejtat e tyre legjitime kombëtare, gabohen,” tha ai në fillim të fjalimit të tij. /tesheshi.com/