Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një kumtese për media, ka deklaruar se nuk është aspak e befasuar me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, që as të mos e pranojë për shqyrtim kërkesën e opozitës për vlerësimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë krijimin e Gjykatës Speciale.
“Ne nuk kemi pasur pretendime se vendimi i Gjykatës mund të jetë tjetër, por kemi shpresuar se kjo Gjykatë mund të ketë ndryshuar qasjen ndaj politikës, bile kur bëhët fjalë për atakimin e sistemit gjyqësor, sic ka ndodhur me amandamentin për Gjykatën Speciale.
Por duket se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e infektuar deri në palcë nga politika. Konsiderojmë që me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ky institucion e ka shpallur veten “NUL”, sepse Gjykata Speciale, nuk do ta njohë si autoritet gjyqësor as Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të ndikimeve politike s’po mundet as të kompletohet me të gjithë gjyqtarët, është një shembull skandaloz për gjyqësinë kosovare. Do të dëshmohet se pasojat e kë tij vendimi do të jenë afatgjate”, thuhet në deklaratën e AAK-së. /tesheshi.com/