Portali amerikan The Intercept raportoi se muajin e kaluar ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian refuzuan thirrjen për të pezulluar shitjet e armëve në Izrael, pavarësisht provave në rritje të paraqitura atyre në një analizë të brendshme të krimeve të luftës, dhe ndoshta gjenocidit, që Izraeli po kryen në Gaza.
Raporti, i shkruar nga Arthur Neslen, shpjegoi se përmbajtja e analizës prej 35 faqesh, e cila nuk ishte e njohur më parë për publikun, mund të ndikojë në gjyqet e ardhshme të krimeve të luftës kundër politikanëve të Bashkimit Evropian për bashkëpunim në sulmin e Izraelit në Gaza, sipas avokatëve.
Olof Skoog, përfaqësuesi special i BE-së për të drejtat e njeriut, shkroi analizën dhe ua dërgoi ministrave të jashtëm të BE-së përpara takimit të tyre më 18 nëntor. Kjo erdhi si pjesë e një propozimi të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme për t’i dhënë fund dialogut politik me Izraelin, i cili u refuzua nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.
Në analizë, Skoog paraqiti prova nga burime të OKB-së mbi krimet e luftës të kryera nga Izraeli që nga 7 tetori 2023. Ai vuri në dukje në analizë se Izraeli ka vrarë rreth 45,000 njerëz në Gaza që nga ajo datë, më shumë se gjysma e të cilëve janë gra dhe fëmijë.
Ton i ashpër
Megjithëse kjo analizë nuk e portretizonte Hamasin dhe Hezbollahun si të pafajshëm, toni i saj i ashpër kishte për qëllim forcat izraelite. Raporti thoshte: “Lufta ka rregullat e veta. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të viktimave civile dhe vuajtjet njerëzore, akuzat përqendrohen në dështimin e forcave izraelite për të bërë dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve ose për të marrë masa paraprake praktike për të mbrojtur civilët dhe objektivat civilë nga pasojat e sulmit, në kundërshtim me parimet bazë të së drejtës humanitare ndërkombëtare.”
Skoog thekson se liderët politikë dhe ushtarakë të Izraelit kanë rritur “tonin ofendues“, i cili mund të “kontribuojë në vërtetimin e qëllimit” për të kryer gjenocid.
Raporti thekson gjithashtu se “nxitja për diskriminim, urrejtje dhe dhunë – e cila është e dukshme në deklaratat e zyrtarëve izraelitë – përbën një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe mund të përbëjë krim ndërkombëtar të nxitjes për gjenocid”.
Apel ndaj injorancës
Yanis Varoufakis, ish-ministër i financave i Greqisë dhe sekretar i përgjithshëm i partisë MeRA25 e cila është pjesë e Lëvizjes për Demokraci në Evropë 2025, paralajmëroi për pasoja për zyrtarët e lartë nga vendet që eksportojnë armë në Izrael, si Gjermania, Italia dhe Franca.
Ai tha se nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale i shpall zyrtarët izraelitë fajtorë për krime lufte, dërgimi i kësaj analize tek ministrat e Bashkimit Evropian është i një rëndësie të madhe sepse ata nuk do të mund t’i arsyetojnë veprimet e tyre me injorancë.
“Ata nuk do të mund të mohojnë se ishin në dijeni të fakteve duke pasur parasysh përmbajtjen e analizës së bërë nga përfaqësuesi special i BE-së, të cilën ata duhej ta merrnin parasysh”, shtoi Varoufakis. “Tani bota e di se ata me vetëdije kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe historia do t’i gjykojë ashpër, dhe ndoshta Gjykata Ndërkombëtare Penale.”
Bashkëfajësi në krim
Skoog u bëri thirrje vendeve të BE-së që “të refuzojnë të japin një licencë për eksportin e armëve nëse ekziston një rrezik i qartë që teknologjia ose pajisjet ushtarake që eksportohen mund të përdoren për shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”.
Pas kësaj analize, avokati Tayab Ali tha se disa politikanë në BE janë të ekspozuar ndaj rrezikut të bashkëpunimit nëse vërtetohet se Izraeli ka kryer krime lufte. Ai konfirmoi se “avokatët në mbarë Evropën po e ndjekin nga afër këtë rast dhe pritet të iniciojnë mekanizmat e llogaridhënies, vendorë dhe ndërkombëtarë”. Ai pyeti veten se si Franca dhe Gjermania mund të mendonin për mbrojtjen e kriminelëve të luftës, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
Agnes Bertrand-Sanz, një eksperte e çështjeve humanitare në Oxfam, tha se analiza forcoi rastin për bashkëpunimin e qeverive evropiane në krimet e Izraelit në Gaza, duke shtuar se ata që vazhduan të eksportonin armë në Izrael, pavarësisht këshillave të dhëna në këtë raport, ishin bashkëpunëtorë të dukshëm në krim. /tesheshi.com/