Nga Justinian Topulli
Edhe pse kjo temë kërkon një sqarim të detajuar – për të cilin na është dashur kohë ta kuptojmë duke mbledhur copëza informacioni, të gjitha publike, dhe për të cilat kemi folur shpesh në mënyrë të shpërndarë – këtu do të përpiqemi ta paraqesim sa më shkurt dhe përmbledhur që të jetë e mundur.
Nuk do të merremi me idetë apo pasojat e tjera të kësaj nisme, për të cilat është protestuar më së shumti, e as me justifikimet ligjore, historike ose aktuale që janë dhënë për të. Këtu do të fokusohemi tek një element i lënë pothuajse jashtë vëmendjes, ose trajtuar shumë pak, për të cilin madje dyshojmë se është, nëse jo motivi kryesor, të paktën një nga motivet kryesore që shtyjnë drejt realizimit të kësaj nisme.
Përtej kërkesës për një status juridik të veçantë, që do t’i jepte Kryegjyshatës një karakter ndërkombëtar, nisma e Kryeministrit për ta mbështetur atë deri në rangun e një “shteti sovran” duket se mund të jetë e nxitur edhe nga jashtë. Këta faktorë të huaj mund të kenë qëllime që nuk lidhen thellësisht me Shqipërinë ose me vetë bektashinjtë, por me një agjendë më të gjerë globale: “krijimin dhe mbështetjen e një modeli të ashtuquajtur të moderuar të Islamit”.
Për ta kuptuar këtë, i referohemi disa shkrimeve të mëhershme, ku kemi përmendur sesi qarqe të caktuara akademike në Perëndim i kanë vënë në dispozicion politikave të shteteve të tyre studime mbi mënyrën se si, sipas tyre, duhet të përballen me atë që e konsiderojnë “rreziku islamik” për botën.
Me pak fjalë, ideja kryesore e këtyre studimeve është se, për të ruajtur civilizimin laik perëndimor dhe vetë botën moderne afetare nga rreziku i fetarisë në rritje – gjithnjë në emër të paqes, sipas tyre – duhet të ndërhyhet në vetë përmbajtjen e feve, sidomos të Islamit, duke i modifikuar ato nga brenda, në përputhje me shijet laike moderne.
Sigurisht, rruga më efikase dhe më e suksesshme, sipas këtyre studimeve, është përdorimi i vetë fesë dhe i njerëzve të saj. Kështu, ato paraqesin emra, rryma, organizata, grupime, tarikate, sekte dhe individë konkretë, me të cilët duhet bashkëpunuar – apo më saktë, duhen përdorur – për të përmbushur këtë agjendë, e cila në thelb synon shekullarizimin e fesë dhe reduktimin e saj në një spiritualizëm individual, që nuk prodhon as lëvizje shoqërore, as agjendë politike.
Një nga aktorët që i ka shërbyer më së miri kësaj agjende, me vetëdije ose jo, është lëvizja gyleniste, e përmendur në këto studime. Mes tyre përmendet edhe bektashizmi.
Nisur nga devijimet doktrinore dhe praktikat joislame që bektashizmi ka marrë në rrjedhën historike – elemente këto tejet të përshtatshme për t’u përdorur, thelluar dhe theksuar për këtë agjendë – krijimi i një shteti sovran bektashi, qoftë edhe simbolik, por i pajisur me pavarësi vendimmarrëse, bankë dhe financa të pavarura, pa dhënë llogari se nga kush merr mbështetje apo çfarë veprimtarish kryen, do të ofrojë një model “joshës” për të gjitha sektet, tarikatet, grupimet apo rrymat e ngjashme, qofshin këto shiite apo sunite. Kështu, muslimanëve do t’u tregohet modeli sesi mund të sigurojnë mbështetje bujare dhe promovim global, apo edhe favore të tjera, nëse sillen siç ua ka ënda këtyre agjendave.
Thonë se djalli fshihet në detaje, dhe vërtet kështu duket të jetë. Ka mjaft detaje të rëndësishme të publikuara në media të huaja – të ripublikuara edhe në shqip – të cilave shumë njerëz nuk u kanë kushtuar rëndësinë e duhur.
Për shembull, është me rëndësi detaji për krijimin e Bankës Bektashiane të Bamirësisë, i përmendur në një media afrikane, e cila thuhet se do të financojë projekte për tolerancën dhe promovimin e paqes, apo më saktë, do të promovojë modelin e “myslimanit të pranueshëm” për “botën e të fortëve”, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe më gjerë.
Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi mund të përdoret nga këto agjenda, nga shërbime të huaja, si një mbulesë juridike për të çuar përpara këtë projekt në botën islame. Kjo mund të bëhet përmes financimeve dhe nxitjes së krijimit të bindjeve që luftojnë atë që quhet “Islami politik”, kritika ndaj të cilit tashmë dëgjohet publikisht “çuditërisht” edhe nga vetë Baba Mondi.
“Shteti Bektashi”, i cili sot vetëquhet shiit (megjithëse historikisht bektashinjtë kanë qenë sunit), mund të shërbejë si një model nxitjeje për grupime të tjera shiite që të shkëputen nga ndikimi i Iranit dhe të lidhen me palë të tjera, që i joshin ashtu siç kanë joshur Kryegjyshatën me financim, vëmendje ndërkombëtare dhe privilegje të tjera.
Në bazë të disa treguesve publikë të pamohueshëm, dyshojmë se më të interesuarit për këtë aspekt të shtetit të ardhshëm bektashi – nëse kjo nismë realizohet – janë, mes të tjerëve, edhe shteti sionist, i cili në territorin e vet ka një qasje të ngjashme me druzët (që në disa pika u ngjajnë bektashinjve), si edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat prej vitesh kanë marrë një rol aktiv në zbatimin e kësaj agjende. Kështu, besojmë se kjo është ajo ana “e errët” për të cilën nuk flitet, sepse mjaftohet duke thënë se do të promovohet paqja në botë dhe një Islam “tolerant”.
—
P.S. A do t’ia arrijnë qëllimit final përmes kësaj agjende? Dëme do të shkaktojnë, por në fund do të dështojnë, sepse nuk duan ta pranojnë dhe ta kuptojnë se kjo fe – sado “radikale” të duket për ta – është në dorë të Allahut, jo tonën. Ai e mbron dhe e ruan mesazhin e saj origjinal. Ata kujtojnë se, duke luftuar të ashtuquajturit “myslimanë radikalë” e “ekstremistë”, do të krijojnë një “Islam light”, “Islam laik” apo “Islam apolitik”. Por këta mjeranë, bashkë me “myslimanët” derdimenë që i ndjekin nga pas, nuk e kanë kuptuar ende sekretin e madh të forcës së Islamit.