Opozita iu rikthye sërish zjarrit, një lloj piromanie politike që i është shndërruar në identitet. Zjarrvëniet e saj tashmë janë bërë rutinore. Pasditen e kësaj të hëne u vuri flakën një mase karrigesh në derën e parlamentit, nxjerrë nga salla, duke i shtuar muzeut të historisë së saj dhe ca foto plus me pamje flakësh nga aksionet e saj politike. Në finale, asgjë tej një lloj vetëdjegie. Kjo pasi rezultati dihet: degradim dhe më në tregues elektoralë. Tek e fundit, aftësia e një force politike janë strategjitë e zgjuara për të zgjeruar bazën elektorale. Por duket se aty nuk ekziston asnjë mendjehollë në funksion të kësaj. Ndaj, rruga që ka zgjedhur PD nuk përkthehet ndryshe vetëm se si zbatim adeukat i një skeme për të mbetur përjetësisht në opozitë, në mos për t’u shuar. Kjo e bën PD-në jo një forcë politike, por një grupim idiotësh politikë. Nëse nuk do ishin të tillë, do u maftonte leximi i një libri, atij që të tregon qartë se si rivihet në pushtet. Ky libër nuk është gjë tjetër veçse historia e deritanishme e politikës shqiptare që nga ‘91-shi e deri më sot. Mjaft të lexojnë aty, kapitujt e saj, dhe nuk do ishin në këtë shkallë të dhimbshme idiotësie. Pra, nuk është çështje nëse janë të egër, primitivë apo vulgarë, mjafton që janë idiotë. Dhe ja pse janë të palexueshëm: në 2005-ën u rikthyen në pushtet jo nga egërshania e akuzave dhe aksioneve ekstreme politike, por nga oferta që bën elektoratit me KOP-in. Ishte pikërisht KOP-i pika e kthesës në tregues elektoralë dhe kjo ndodhi për tre muaj, që nga dita e prezantimit. Dhe KOP-i në thelb ishte ofertë e jo akuzë. KOP nuk artikulonte rrëzimin e Nanos, por një vizion tjetër qeverisës. Dhe kjo s’është thënë: më shumë se Berishën e ndryshuar, shqiptarët votuan KOP-in, ku meritën e pati Berisha si gjetje politike.
Kapitulli tjetër që nuk e lexojnë dot ky grupim idiotësh: ardhja në pushtet e Ramës.
Me standartin e PD-së sot, PS duhej t’i kishte vënë flakën vendit pas asaj maskarade ku Bashkia e Tiranës e fituar ngushtësisht nga Rama iu kalua Bashës në një proces të pastër të kapjes së drejtësisë nga partia në pushtet. Ishte ndër aktet që i vuri vulën disa zhvillimeve ku opozita çohej në kufijtë e poshtërimit. Nëse e kemi harruar, duhet ta kujtojmë se perceptimi publik shkoi deri aty sa të dukej i pamundur rrëzimi i Berishës nga pushtetit. Por Rama zgjodhi tjetër rrugë. U pajtua me humbjen e Bashkisë dhe zgjodhi që si dufin e si vizionin e tij qeverisës ta shpaloste me një libër – “Kurban”-in. Në dy vite, narrativa e opozitës socialiste ndryshoi krejtësisht, duke i mëshuar me shumë ofertës së sa akuzës. Madje nuk artikulonte më dhe frazën klishe “Fajin e ka Saliu”. Rezultati: erdhi në pushtet lehtësisht, duke rrëzuar dhe mitin e një Berishe të pamposhtur. Por ja që në PD nuk lexon kush, madje as Gjekmarkaj që mbahet për i lexuar.
Dhe nuk është paleximi, është dhe morali i tyre i kalbur, është dhe pareformimi.
Për rastin Salianji, ato qahen për një drejtësi që vetë e shkatërruan për sa qeverisën Shqipërinë, duke shënuar rekorde të kapjes së saj. Dhe ky është kulmi i amoralitetit politik.
Dhe tjetra: pareformimi. Prej kur ra prej pushteti, në asnjë rast në PD nuk u artikulua nevoja e një vetëreformimi. Dhe më rëndë se arroganca qeverisëse, ka qenë arroganca e saj për të mos i pranuar të vërtetat e hidhura mbi veten dhe zgjedhja për të jetuar me gënjeshtra, duke u zhytur dita-ditës në degradim(siç).
Dhe një forcë që s’ndryshon veten, s’mund të ndryshojë Shqipërinë!
Këtë e vërteton dhe vetë gjuha e PD-së, e cila gjithnjë artikulon “rrëzimin e Ramës” e kurrë qeverisjen. E çdo qeverisin kur nuk mirëqeverisin veten e tyre?! /tesheshi.com/