Nga Blendi Gashi
Qeveria e re e Kosovës në krye me Ramush Haradinaj, e cila është zotuar se do të punojë me shumë përkushtim për mirëqenien e qytetarëve, ende pa mbushur një muaj po tregon se fatkeqësisht do të ndjekë rrugën e qeverive të kaluara sa i përket lluksit.
Dhe këtë e dëshmon tenderi i shpallur nga zyra e kryeministrit për blerjen e 14 telefonave celularë në vlerë prej 8 mijë euro për personelin e saj, sigurisht kjo një “dhuratë” për stafin e ri edhe pse nuk është se kanë punuar diç që nga marrja e detyrës.
Në njoftimin e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), bëhet e ditur se i gjithë ky proçes duhet të përfundojë brenda 10 ditësh.
Kontrata për furnizime nga zyra e kryeministrit ka koinçiduar me lançimin e produkteve të reja nga kompania Apple, modeli i saj më i ri Iphone X. Por, nuk dihet se cili do të jetë lloji i telefonave që do të blejnë.
Për këtë vendim zyra e kryeministrit, ka dhënë një arsyetim qesharak duke thënë se zyrtarët në kabinetin e shefit të ekzekutivit nuk mund t’i blejnë telefonat me buxhetin e tyre personal për shkak të pagave siç thonë të ulëta.
“Ka një perceptim se punëtorët në Kryeministri kanë paga të larta, por e vërteta është se mesatarja e pagës së këshilltarit politik në kryeministri, sot është rreth 500 euro, prandaj asnjëri prej tyre nuk ka mundësi që me buxhetin personal ta blejë një mjet pune, qoftë ai edhe telefon, për punë zyrtare”, thuhen në sqarimin e Kryeministrisë dhënë për mediat.
Ja pse është sqarim për keqardhje…
Por ky sqarim vërtetë është për keqardhje po të kihet parasysh varfëria ekstreme dhe papunësia që mbretëron në vend.
Sipas arsyetimit të Kryeministrisë, çdo institucion duhet t’i blejë telefona të modelit më të ri zyrtarëve të saj pasi ata kanë paga të ulëta dhe nuk mund t’i përballojnë me xhepin e tyre.
Ky vendim i qeverisë po kritikohet ashpër nga opozita por dhe nga deputet të koalicionit qeverisës duke e cilësuar banal, dhe njëkohësisht arsyetimin e ekzekutivit fyerje për qytetarët që shumica prej tyre mezi e sigurojnë mbijetesën brenda një muaji me pagat që marrin.
“Vendim banal dhe i papranueshëm”
Shqipe Pantina, deputete e Vetëvendosje-s e quante të paarsyeshme dhe të papranueshme blerjen e telefonave me para të buxhetit të shtetit, ashtu si edhe arsyetimin e dhënë nga qeveria.
Sipas Pantinës edhe qeveria “Haradinaj” po tregon se në fokus e ka realizimin e interesave grupore e jo mirëqenien e qytetarëve.
“Ne kemi njerëz që vdesin në spitale si pasojë e mungesës së barnave, kemi fëmijë që shkojnë të uritur në shkollë e shumë e shumë nevoja tjera për të cilat qeveria duhet të mendojë. Zyrtarët qeveritarë i kanë telefonat e zyrës, kanë kompjuterë e mjete tjera pune që mund t’i përdorin për komunikim zyrtarë. Dhe jam e bindur se secili zyrtarë ka edhe një telefon personal të cilin nuk e kuptoj pse nuk mund ta përdorë edhe për komunikim zyrtarë. Për fat të keq kjo është tejet zhgënjyese të shihet se as kjo qeveri nuk e ka ne qendër mirëqenien e qytetarit por realizimin e interesave të veta individuale e grupore”, thotë Pantina për tesheshi.com.
Milaim Zeka, deputet i NISMA për Kosovën thotë se ndarja e 8 mijë eurove nga qeveria për të blerë telefona është banale në kohën kur pacientët vuajnë edhe për një gjilpërë në spitale. Ai thotë se qeveria e kaluar bashkë me detyrën është dashur që t’i dorëzojnë edhe pajisjet teknologjike.
“Arsyetimi nga zyra e Kryeministrit, ‘se rrogat nuk na dalin për të blerë telefona’ është tepër banal, dhe shumë qesharak përpara kësaj varfërie ektreme.
Tani më thoni diçka: ku janë telefonat dhe laptopët e blerë nga ish-kryeministrat e kaluar?! A duhet që bashkë me detyrën, të dorëzohen edhe telefonat, edhe laptopët?! Nëse jo, pse nuk merren edhe mobilët nëpër shtëpi e banesa private?!”, thotë Zeka.
Në linkun më poshtë mund të gjeni njoftimin për kontratë me telefona celularë nga Zyra e kryeminsitrit: (Pasi të hapni linkun, klikoni tek titulli i shpalljes – Njoftim për kontratë – dhe informoheni për detajet)
https://krpp.rks-gov.net/Default.aspx?PID=Notices&LID=1&PCID=-1&CtlID=VieëNotices&ID=143682