Nga Mensur Krasniqi
Pas mbërritjes së tre eurodeputetëve në Shkup, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Riçard Hovit në Maqedoni, ata kanë dhënë një sërë rekomandimesh për faktorin politik në vend. Sipas tyre, liderët e partive më të mëdha në Maqedoni nuk duhet të guxojnë të humbin kohë dhe njëherësh nuk duhet të kursejnë përpjekje për ta implementuar Marrëveshjen e Përzhinos. Ata nënvizojnë se prioritet për vendin është zgjidhja e krizës. Ata inkurajuan partitë politike që urgjent të përgatisin listat zgjedhore me një metodologji kredibile dhe të zgjidhin çështjen e mediave, ndryshe nuk mund të ketë zgjedhje të parakohëshme korrekte. Ivo
Vajgëll: Koha duhet të shfrytëzohet racionalisht
“Maqedonia duhet të mbajë rrugën drejt BE-së nëpërmes dialogut në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos. Kështu, duke i plotësuar kushtet e marrëveshjes. Partitë politike në vend dëshmuan se mund të gjejnë consensus, edhe pse ende ka pikëpamje të kundërta. Ende ku kemi hasur në unifikim të qëndrimeve për çështjen e mediave. Duhet të ketë më tepër hapësirë për mediat. Shumë mund të bëhet në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mediave. Ne presim që Maqedonia të vazhdojë rrugën e reformave. Mendojë që koha duhet të shfrytëzohet racionalisht. Parlamenti do ta vëzhgojë të gjithë procesin”, tha Vajgëll.
Eduard Kukan: Marrëveshja e Përzhinos, bazë për zgjidhje
“Kemi pasur takime intensive me partitë politike, OJQ-të, KSHZ-në dhe prokuroren speciale. Ne ofrojmë shërbimin tonë për të lëvizur drejt progresit. Kemi bazë për zgjidhje, kemi Marrëveshjen e Përzhinos. Implementimi i marrëveshjes do të hap rrugë drejt BE-së. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim Maqedoninë në këtë rrugë”, u shpreh Kukan.
Riçard Hovit: Ka mungesë të demokracisë
“Maqedoninë duam ta shohim si pjesë të BE-së. Marrëveshja e Përzhinos duhet të respektohet dhe kryeministri duhet të jap dorëheqje. Ne besojmë në reformat strukturore. Ne inkurajojmë që grupet e punës në kuadër të marrëveshjes të angazhohen edhe gjatë zgjedhjeve. Të përkrahet prokurorja speciale dhe roli i saj i rëndësishëm. Respektimi i marrëveshjes është në interes të perspektivës evropiane. Është evidente se ka mungesë të demokracisë dhe kriza është refleks i kësaj mungese”, theksoi Hovit.
Të tre eurodeputetët kanë premtuar se Parlamenti Evropian do ta përkrahë Maqedoninë drejt rrugës euroatlantike.
Ndryshe pas disa ditësh pritet edhe ardhja e eurokomisarit për Politikën fqinje dhe negociata për zgjerim, Johanes Han. Thuhet se me ardhjen e këtij të fundit në Maqedoni, pritet edhe dorëheqja e Nikolla Gruevskit nga posti i kryeministrit, ashtu siç e parasheh edhe Marrëveshja e Përzhinos. /tesheshi.com/