Edhe pse tashmë një emër i harruar në futbollin europian pas shkëlqimit që pati gjatë dhjetëvjeçarit të shkuar me Çelsin e Barcelonën, Eidur Gudjohnsen vijon të luajë ende, sido që në një moshë të madhe.
Që prej shkurtit ai është zhvendosur në kampionatin norvegjez, ku luan për Molden. Akoma në formë të mirë sportive, ai është përzgjedhur midis lojtarëve që do ta përfaqësojnë Islandën në Euro 2016.
Me një karrierë 23-vjeçare, që ka nisur në vitin 1993, Gudjohnsen ka luajtur për shumë ekipe, mes të cilëve veçohen PSV Eindhoveni, Boltoni, Çelsi, Barcelona, Monako, Totenhemi, Stouk Siti e Fulhami. Me Çelsin e ka fituar dy herë kampionatin anglez, e në radhët e Barcelonës i është gëzuar trofeut të kampionatit spanjoll e të Champions League-s.
Ish-sulmuesi i katalanasve ka zhvilluar 84 takime me përfaqësuesen islandeze. I tërhequr nga kombëtarja në nëntorin e vitit 2013, ai u rithirr në marsin e dy viteve më pas.
Gudjohnsen ka luajtur në tre prej ndeshjeve kualifikuese të Islandës për Euro 2016-tën, duke shënuar një gol. Pas një eksperience të shkurtër në futbollin kinez, ai u afrua në muajin e dytë të këtij viti te Molde, me synimin për të luajtur rregullisht e për t’u bërë pjesë e përfaqësueses që do të shkojë në Francë.
Islanda merr pjesë për herë të parë në një veprimtari të përmasave të tilla. /tesheshi.com/