Reaktori numër katër i Çernobilit shpërtheu në orën 01:23 të 26 prillit 1986. Retë e radiacionit u përhapën në një pjesë të mirë të Europës, por Ukraina, Rusia e Bjellorusia qenë më të goditurat.
Ky ishte aksidenti më i rëndë bërthamor në botë, dhe numri i viktimave ende nuk dihet saktësisht. Megjithatë, Çernobili vazhdoi të prodhojë energji elektrike për 14 vite të tjera, gjersa presioni ndërkombëtar mundësoi mbylljen e tij në vitin 2000.
Shëndeti i njerëzve në atë lokalitet mbetet akoma i prekur nga shpërthimi i 30 viteve të shkuara. Raportohet për fëmijë që lindin me deformime serioze, ashtu si dhe për përqindje të lartë të njerëzve me forma të rralla kanceri.
Rreziku është ende aty, ndërsa më shumë se 200 tonë uranium qëndrojnë brenda reaktorit që shpërtheu në 1986-ën, çka e bën të arsyeshme frikën se mund të ketë sërish rrjedhje radioaktive nëse struktura prej betoni që e mbulon reaktorin shembet.
Ceremoni përkujtimore ka patur këtë mëngjes në Ukrainë, posaçërisht në Kiev dhe në Sllavutiç, aty ku u strehuan shumë prej atyre që u detyruan të linin shtëpitë e tyre. /tesheshi.com/