Gjykata nuk mund të shqiptojë masë paraburgimi për ndonjë deputet pa ia hequr Parlamenti imunitetin, por se mund të shqiptojë masa tjera për sigurim të prezencës. Ky është qëndrimi i ekspertëve, pasi gjashtë deputetët për të cilët kërkohej paraburgimi për ngjarjet e 27 prillit u larguan për në shtëpitë e tyre, teksa kolegët e tyre do të duhet të vendosin nëse do t’u merret imuniteti.
Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov theksoi se të gjithë qytetarët, qofshin edhe deputetë, janë të barabartë para drejtësisë; që do të thotë se të gjithë do të merren në pyetje nëse dyshohet se janë kryerës të ndonjë vepre penale.
“Nëse një deputet është i dyshuar dhe Prokuroria kërkon paraburgim për të, atëherë nëse këtë e pranon gjykatësi-hetues, deputeti do të thirret në pyetje. Në pyetje duhet të shkojë secili, madje edhe deputeti.
Nëse nuk dëshiron të shkojë në pyetje, atëherë vjen në shprehje çështja e imunitetit. Gjykatësi-hetues e informon Kuvendin se është i dyshuar ky dhe ai deputet dhe se duhet të mbahet në paraburgim që të sigurohet marrja në pyetje e tij. Këtë kërkesë nga gjykatësi hetues e shqyrton komisioni kompetent parlamentar dhe pastaj shkohet në seancë parlamentare. Në seancën parlamentare nëse kërkesa për t’u paraburgosur miratohet me shumicë prej 61 votash nga 120 deputetët, do të paraburgoset, pra pasi Kuvendi ka dhënë pëlqim. Nëse Kuvendi nuk jep pëlqim nuk do të paraburgoset. Gjithsesi, edhe më tutje si qytetar do të jetë i obliguar të shkojë në pyetje”, tha Andov. /tesheshi.com/