Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 241-vjetorin e Ditës së Pavarësisë. Me këtë rast presidenti Hashim Thaçi, ka uruar popullin amerikan.
Ai përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se 4 Korriku, është festë për tërë botën liridashëse, sepse përfaqëson ditën kur ngadhënjeu aspirata për liri e barazi dhe ëndrra për një botë të re, ku secili gëzon lirinë e mendimit, të shprehurit, të kërkimit të prosperitetit dhe të lumturisë në një ekonomi të lirë dhe shoqëri liberale.
“Kjo aspiratë na bashkon me SHBA-në sot, nesër dhe përgjithmonë. Por, edhe na obligon që t’i mbrojmë dhe promovojmë këto vlera, kudo e kurdo, në shtëpitë dhe shoqërinë tonë, duke i bërë themele të Kosovës që duam ne. Gëzuar popullit mik amerikan Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar Thaçi.
Kujtojmë se shpallja e pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 241 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në shpalljen e pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre, ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit./tesheshi.com/