Në 24-vjetorin e Srebrenicës, presidenti Thaçi kujton se ata që e shkaktuan atë, po ata më pas shkaktuan dhe tragjedinë kosovare
“Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, riktheu tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive. Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviqit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999”, shkruan Thaçi.
Më tej, kreu i shtetit të Kosovës, e konsideron po aq dëshpërues faktin se drejtësia nuk është vënë në vend.
“Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje”, përfundon Thaçi. /tesheshi.com/