Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

20 fotografitë e javës nga “The Guardian”: zjarret, zgjedhjet në Turqi dhe turpërimi i Gjermanisë

Zjarret jashtë kontrollit në tokat e shkurreve në Mançester, zgjedhjet në Turqi dhe skualifikimi i Gjermanisë nga Kupa e Botës – këto janë disa nga momentet e fiksuara në 20 fotografitë më të mira të javës nga fotoreporterët më në zë të botës në përmbledhjen e së përditshmes “The Guardian”.

Stamboll, Turqi. Mbështetës të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim, gjatë festimeve jashtë selisë qendrore të partisë në Stamboll. Erdoğan mbajti fjalim përpara mijëra mbështetësve në Ankara pas daljes fitimtar në zgjedhjet presidenciale, duke thënë se fituese ishte Demokracia dhe se Turqia ishte një shembull për pjesën tjetër të botës.
Beit El, Bregu Perëndimor. Një vajzë palestineze qëndron mes tymit në një protestë në vendbanimin hebre, Beit El, në afërsi të Ramallah, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Daraa, Siri. Tymi ngrihet mbi zonat e kontrolluara nga opozita në qytetin Daraa gjatë sulmeve ajore të forcave të regjimit. Një ofensivë e re e qeverisë siriane për të marrë nën kontroll territorin rebel në jug-perëndim të vendit, po vendos në rrezik procesin e brishtë të paqes dhe mund të provokojë një krizë humanitare edhe më të vështirë se ajo që pasoi rrethimin e Halepit.
Qyteti Meksiko, Meksikë. Kandidati presidencial i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador përshëndet mbështetësit gjatë tubimit përmbyllës të fushatës së tij në stadiumin Azteka në prag të zgjedhjeve.
Jos, Nigeri. Një vajzë e vogël e cila u godit me hanxhar pas qafe gjatë përleshjeve qëndron me nënën në pavionin e Pediatrisë në spitalin universitar të Josit. Shteti Plateau në Nigeri përjetoi ditë dhune ku u vranë më shumë se 200 persona nga përleshjet midis fermerëve Berom dhe barinjve Fulani. Nigeria po përballet me një përshkallëzim të përleshjeve të tilla për përdorimin e tokës dhe burimeve që po ashtu po thellon edhe rreshtimin fetar dhe etnik.
Jos, Nigeri. Një burrë vështron përmes dritares së pavionit ku qëndrojnë disa prej të plagosurve të mbijetuar nga përleshjet.
Milton Keynes, Britani. Një grua sheh nga dritarja e korridorit në spitalin universitar Milton Keynes. Kujdesi shëndetësor falas dhe cilësor për të gjithë, nga djepi në varr, ishte misioni i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë kur u themelua më 5 korrik 1948. Mjafton të pyesësh çdo pacient, infermiere apo doktor sesi ndihen tani në lidhje me këtë shërbim dhe do të zbulosh se ato vlera themelore janë po aq të rëndësishme sot sa ishin 70 vjet më parë.
Moskë, Rusi. Kalimtarët kontrollojnë telefonat e tyre smart jashtë stacionit nëntokësor Krasnopresnenskaya në Moskë.
Berlin, Gjermani. Fansat në zonën publike në Brandenburg Gate reagojnë ndërsa shohin mposhtjen e Gjermanisë 2-0 nga Koreja e Jugut, që i nxorri ata jashtë Kupës së Botës.
Saransk, Rusi. Iraniani Mehdi Taremi pas ndeshjes së Kupës së Botës kundër Portugalisë në Mordovia Arena.
Londër. Protestuesit marrin pjesë në demonstratën e Votës së Popullit kundër Brexit në Londër.
Bitlis, Turqi. Delet, e sjella nga barinjtë për mjelje në fshatin Kiyiduzu, drejtohen përmes rrafshnaltave të malit Nemrut.
Stalybridge, Britani. Hëna e plotë ngrihet pas tokave me shkurre që digjen në Stalybridge, Mançesteri i madh.
Bolton. Zjarrfikësit përpiqen të shuajnë zjarrin në Kodrën e Dimrit, afër Bolton.
Cox’s Bazar, Bangladesh. Një refugjat Rohingya mbart rrjetat e peshkimit në plazhin Shamlapur.
Cox’s Bazar, Bangladesh. Gra Rohingya mbartin dru zjarri mbi kokë ndërsa kalojnë përmes kampit të refugjatëve Kutupalong.
Najrobi, Kenia. Një veterinar i shërbimit të jetës së egër në Kenia shpon një vrimë në bririn e një rinoqeronti të zi femër, të shtruar me qetësues, në mënyrë që të vendosë një gjurmues. Shërbimi i jetës së egër zhvendosi 14 rinocerontë të zinj nga parqet kombëtare të Najrobit dhe liqenit Nakuru drejt në parku tjetër në përpjekje për t’u dhënë një mjedis më të sigurtë jetese midis zemërimit të publikut për ndërtimin e një hekurudhe që do të kalojë përmes parkut kombëtar të Najrobit.
Lepaera, Honduras. 42-vjeçari José Guardado, deportuar nga Shtetet e Bashkuara që ishte ndarë prej djalit të tij 12-vjeçar Nikson, në pikën e hyrjes në McAllen, sipas politikës së ashpër të administratës Trump, mban djalin e tij më të vogël ndërsa arrin në shtëpinë e vet në El Edén.
Riad, Arabia Saudite. Hessah al-Ajaji nget makinën e saj në rrugën e populluar të kryeqytetit, Tahlia për herë të parë. Gratë saudite më në fund, mund të drejtojnë makinën lirisht pas vitesh që rrezikonin arrestimin nëse guxonin të merrnin timonin.
Palmira, Kolumbi. Të afërm të anëtarëve të masakruar të ekipit të lajmeve nga gazeta ekuadoriane, “El Comercio” përqafohen ndërsa ark-mortet e të dashurve të tyre transportohen mbi avionin e forcës ajrore për t’u dërguar në Kuito. Treshja e ekipit, gazetari Javier Ortega, fotografi Paul Rivas dhe shoferi Efrain Segarra – u rrëmbyen dhe u vranë ndërsa mbulonin një histori për dhunën përgjatë kufirit të izoluar me Kolumbinë.                          Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/
auto pjese dak

Related posts