LDK-ja e Isa Mustafës ka reaguar në 100 ditëshin e qeverisë “Haradinaj” duke thënë se qytetarët janë dëshmitarë të qeverisjes më të keqe që ka përjetuar vendi që nga paslufta.
Sipas këtij subjekti, kjo qeveri e ka dëmtuar rëndë politikisht, ekonomikisht dhe moralisht çdo aspekt që lidhet me qeverisjen e shtetit.
“Pas 100 ditësh qeverisjeje kaotike, Kosova sot është më e izoluar, më varfër, me papunësi më të madhe, pa perspektivë, me nepotizëm ekstrem, me buxhet të shpërdoruar skajshëm, me keqpërdorime enorme, me qeveritarë që kërcënojnë institucionet e pavarura, me njerëz të inkriminuar të vendosur në të gjitha nivelet e qeverisjes”, thuhet në reagimin e tyre.
Për njëqind ditë qeveria “Haradinaj”, sipas LDK-së, u shqua me marrje të vendimeve jashtë kompetencave të qeverisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, duke krijuar precedentë të rrezikshëm kushtetues dhe ligjor për të ardhmen e vendit.
Ata i kanë dhënë disa shembuj të këtyre vendimeve:
– Falja e borxheve në kundërshtim me kompetencat e Qeverisë dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës prej rreth 60 milionë euro (vetëm për dy muaj);
– Ndarja e mjeteve për rastin Kumanova në kundërshtim me Ligjin që ndalon bashkimin në konflikte jashtë shtetit;
– Shkarkimi i bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të vënë njerëzit e tij/tyre në këto pozita;
– Ndarja e mjeteve nga rezerva buxhetore pa asnjë kriter dhe pa përgjegjësi për paranë publike;
Sipas LDK-së gjatë kësaj kohe në krizë të rëndë janë edhe shëndetësia, kultura, ekonomia e sektorët tjerë.
“Politika e jashtme ka shënuar prapakthim historik, duke rrezikuar njohjet, duke dështuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe me skandale publike. Gjatë këtyre 100 ditëve, Kosova, për shkak të qeverisjes jolegjitime, është izoluar si kurrë më parë nga partnerët ndërkombëtarë.
Qeveria e Kosovës, ka dështuar plotësisht në avancimin e procesit të transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur.
LDK ka ngacmuar qeverinë aktuale edhe sa i përket “vendimeve të mëdha” për çka PDK e arsyetoi prishjen e koalicionit me LDK-në.
“Sa i takon ‘Vendimeve të Mëdha’ me të cilat tentuan t’i mashtrojnë qytetarët, koalicioni aktual i ka tri qëndrime të kundërta, një kryeministri, një tjetër kryetari i Kuvendit e zëvendëskryeministrat, një krejt tjetër partneri ‘vendimtar’ i qeverisë, që i le në pritje koalicionin me orë të tëra për t’ia bërë kuorumin, Lista Serbe e dirigjuar nga Radojiçiqi” thekson LDK. /tesheshi.com/