Qeveria Mustafa nuk ka lënë ndonjë gjurmë në 100-ditshin e parë. Gjurmë kanë lënë reagimet në masë kundër disa politikave qeverisëse, por edhe presioni sindikal që ka paralizuar përkohësisht disa nga shtyllat esenciale të shtetit.
Në më shumë se tre muaj, prej kur e ka marrë pushtetin, kryeministri Isa Mustafa është përballur me emigrimin më të madh të kosovarëve prej pasluftës e këtej e edhe me protestën më të madhe e më të dhunshme që nga shpallja e Pavarësisë.
Është përballur edhe me grevën e mësimdhënësve, të minatorëve e së fundmi edhe të gjykatësve, përcjell koha.net. Po kështu, edhe me bojkotin ndaj institucioneve që e mban në fuqi Lista Serbe, partner qeverisës i Mustafës. Madje, ka humbur edhe mbështetjen e çerekut të deputetëve të partisë së tij, LDK-së, shkruan sot Koha Ditore..
Sot bëhen 100 ditë prej kur Mustafa është zgjedhur kryeministër. Tek vonë Kabineti i tij ka miratuar Programin qeveritar. Dhe akoma nuk i ka kompletuar dikasteret qeveritare me zëvendësministra.
Gjatë 19 mbledhjeve të mbajtura, Qeveria ka marrë më shumë se 80 vendime dhe ka proceduar në Kuvend dy amendamente kushtetuese dhe 17 projektligje, 7 nga të cilat në mbledhjen e fundit.
Isa Mustafa kishte dhënë premtime të mëdha gjatë fushatës elektorale, bile për të qenë me real në raport me premtimet e Hashim Thaçit, tashmë zëvendës i tij, kishte deklaruar se do t’i krijonte 120 mijë vende pune. Por me dinamikën e deritanishme, nuk ka shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Në Qeveri kanë refuzuar të numërojnë qoftë arritjet apo dështimet.