Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Universiteti i Prishtinës: Kërkesë tjetër për shkarkimin e rektorit Zejnullahu, po përse duan ta heqin?!

Nga Bashkim Kastrati

Rektorit të Universitetit të Prishtinës Ramadan Zejnullahu nuk po i hiqen telashet dhe kërkesat për dorëheqje. Pas presionit të madh që e pati nga shoqatat e dala nga lufta, në lidhje me mospranimin me automatizëm të disa studentëve të kategorive të dala nga lufta, tani ka ardhur një kërkesë e re për shkarkimin e tij.

Njëzet e tetë anëtarë të Senatit të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” kanë dërguar në Këshillin Drejtues të këtij Universiteti kërkesën për shkarkimin e rektorit, Ramadan Zejnullahu.

Dekanë, senatorë dhe madje studentë kanë nënshkruar një peticion, duke vënë firmat e tyre mbi dhjetë arsyet e përmendura se pse duhet të shkarkohet Zejnullahu.

Në këtë shkresë ata kanë akuzuar rektorin se po bën shkelje ligjore, bllokim të mbledhjeve të Senatit, ndërprerje të konkurseve të doktoratës, injorimi dhe mospërfillja e Parlamentit Studentor, aplikimi i standardeve të dyfishta me rastin e zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik, dështim në rrafshin e bashkëpunimit ndërkombëtar, etj.

Por, rektorin Zejnullahu po përkrahin shoqëria civile dhe personalitete të tjera, duke konsideruar se prej ardhjes së tij, kanë filluar reformat në UP, janë rritur kriteret, janë zbuluar shumë plagjiatura, janë forcuar kriteret për avancime akademike etj. E si duket këta hapa që janë ndërmarrë, po i pengojnë shumë dikujt.

Në përkrahje të punës së rektorit Ramadan Zejnullahu ka dalë edhe drejtori i institutit Riinvest Lumir Abdixhiku, i cili është edhe profesor në kolegjin që mban po këtë emër. Ai ka deklaruar se në kohë të marrive e marrëzive kolektive, rastet e individëve që i vihen përballë së keqes janë veçse mrekulli. Ndodhin rrallë. Ai thotë se i tillë është edhe qëndrimi i rektor Zejnullahut përballë analfabetëve, kapësve e trushpëlarëve universitarë tash e sa kohë. I ka lodhë. Dhe mu për këtë, e për të saten herë, ai është vënë nën sulmin e po të njëjtëve analfabetë që kanë mbetur pa fuqi e janë zënë në siklet.

“Nëse kjo shoqëri ka një fije respekti për veten sot dhe një fije vullneti për të tjerët nesër, atëherë ajo duhet të rreshtohet në krah të individëve që i vinë si mrekulli; në krah të Rektorit këtë herë. Ai s’bën të lihet vetë. Jo se ka rëndësi një çështje dite e tij, por se ka rëndësi kauza që një individ si ai simbolizon. E nuk ka kauzë më të madhe për këtë vend se sa bërja e shembullit se e keqja është e mundshme të mundet. Përballja e Rektorit, me të tillët, është një rast i mirë për këtë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Së fundi edhe Samuel Zhbogar, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë është deklaruar në përkrahje të punës së rektorit Zejnullahu dhe reformave që ai ka ndërmarrë, duke thënë se UP-së i duhet shtimi i kritereve pasi që nga kjo rritet edhe cilësia e studimeve.

Duhet cekur se rektori Zejnullahu është i pari që nuk ka prapavijë politike, pra që nuk është i “dërguar” nga ndonjë parti politike në atë pozitë, siç ishin pararendësit e tij Ibrahim Gashi (AKR), Mujë Rugova (PDK), Hajredin Kuçi (PDK) etj.

Pupovci: Kërkesat për shkarkim po bëhen sepse rektori nuk i nënshtrohet klaneve

Profesori i Universitetit të Prishtinës dhe drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës Dukagjin Pupovci, ka thënë për tesheshi.com se kërkesat për shkarkimin e rektorit Zejnullahu janë reagim ndaj përpjekjeve të tij për t’ia kthyer Universitetit reputacionin që gëzonte dikur. Ai thotë se kërkohet shkarkimi i njeriut i cili insiston në respektimin e kritereve akademike, ndërsa Senati i njëjtë, jo që nuk kërkoi shkarkimin e ish-rektorit pas skandalit të publikimeve të dyshimta, por bëri çmos që ta merr në mbrojtje.

“Në dokumentin që ka dalur në opinion shtrohen 12 arsye për shkarkimin e rektorit, por mungon arsyeja e vërtetë e kjo është ndalimi i avancimeve pa kritere. Kjo i dhemb shumicës së anëtarëve të Senatit, të cilët më lehtë e kanë t’i referohen së kaluarës, kur, po ashtu, nuk ka pasur kritere për avancime, sesa të vendosin se ka ardhur koha ta kthejnë faqen e re të librit dhe të vendosim kritere, jo vetëm për këtë gjeneratë të akademikëve, por edhe për gjeneratat që vijnë” ka thënë Pupovci.

Profesori Pupovci, duke komentuar faktin se a mund të jetë kërkesa për shkarkim për faktin se rektori nuk është  i “dërguar” i ndonjë partie politike,  thotë se nuk është aq punë e partive politike sa e klaneve që operojnë brenda Universitetit. Por këto plana gjithsesi kanë lidhje me partitë politike.

“Profesor Zejnullahu nuk është anëtar i asnjë klani dhe refuzon t’i vështrohet interesit të tyre. Prandaj, nga dita e parë e mandatit u përballua me presion të paparë për t’u larguar nga detyra, herë përmes protestave të inskenuara  studentore, herë përmes presionit nga disa organe shtetërore që duhet ta mbrojnë ligjshmërinë. Vërtetë është shumë vështirë të qëndrojë njeriu në post kur vazhdimisht i bëhen presione nga më të ndryshmet, por, megjithatë, Universitetit të Prishtinës i duhet dikush që qëndron, dikush që tregon vullnet të bëjë ndryshime, përkundër rezistencave dhe sabotimeve që i bëhen”, u shpreh Pupovci.

Parlamenti studentor në shërbim të klaneve!

Dulagjin Pupovci thotë se deri tani, roli kryesor i Parlamentit Studentor në UP ka qenë që t’i sigurojë votat e nevojshme për marrjen e vendimeve në Senat, kryesisht në dobi të klanit që drejton Universitetin. Ai thotë se në emër të kësaj kanë përfituar drejtuesit e këtij organi, e jo studentët dhe se për fat të keq ky avaz po vazhdon.

“Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor në Senat, e që janë 7 nga gjithsej 42 anëtarë të këtij organi, kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e rektorit, duke siguruar edhe një herë numrat e nevojshëm për Senatin. Kërkesa për shkarkim të rektorit është shoqëruar me një kërkesë pak më ‘normale’ – për zbutjen e kushtit për regjistrimin e vitit dhe akordimin e një afati shtesë të provimeve, por shihet se ajo çfarë synohet përmes protestave dhe bllokimit të fakulteteve është shkarkimi i rektorit dhe kthimi në gjendjen kur llogaridhënia është trup i huaj në Universitet”, thotë Pupovci.

Marsh nga studentët dhe shoqëria civile në mbrojtje të rektorit

Iniciativa “Për Arsim Cilësor”, të mbështetur nga shoqëria civile, kanë organizuar mbajtjen e një marshi të studentëve dhe qytetarëve si taksapagues që e bëjnë të mundshëm ekzistimin e Universitetit të Prishtinës, në mbështetje të reformave të nisura nga menaxhmenti aktual i tij dhe për rritjen e cilësisë në arsim në përgjithësi.

Student të Universitetit të Prishtinës dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë bashkuar në një marsh protestues në përkrahje të rektorit, Ramadan Zejnullahu dhe menaxhmentit aktual të këtij universiteti. Ata kanë thënë se ky menaxhment po kundërshtohet për shkak se ka vendosur t’ia lëkund vendeve njerëzve që janë të lidhur me korrupsionin.

Studentë, anëtarë të shoqërisë civile dhe intelektualë theksuan kërkesat e këtij marshi: 1. Forcimi u autonomisë së UP-së dhe të ndërpritet presioni që po i bëhet ditëve të fundit menaxhmentit aktual, 2. Arsimi të bëhet prioritet shtetëror, 3. Të rriten fondet për universitetet publike dhe të kërkohet produkt konkret prej tyre.

Ndër pjesëmarrës u panë Veton Surroi, Halil Matoshi, Besa Luzha, Avni Zogiani, Luan Shllaku,  Shkëlzen Gashi etj.

Kjo kërkesë nga një pjesë e studentëve, nga shoqëria civile dhe vetë ministri i Arsimit është cilësuar e padrejtë, e papranueshme dhe e dëmshme për reformat e nisura dhe synimet për përmirësimin e cilësisë së mësimit dhe të nivelit të dijeve të atyre që dalin nga ky universitet.

Sipas protestuesve, menaxhmenti i ri i universitetit u ka shpallur luftë të korruptuarve në UP, që janë kryesisht nga dy partitë në pushtet,PDK dhe LDK.

Marshi filloi nga shesh “ Skënderbeu” dhe përfundoi para objektit të Rektoratit, ku Dardan Konjuvca, student dhe aktivist i klubit politik të studentëve, tha se qysh nga viti 1999 grupet e krimit kanë tentuar të kapin Universitetin e Prishtinës, përmes partive të ndryshme politike. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com