Tjetër iftar në shkollë nga zyrtarë maqedonas: përplasje LSDM-VMRO për laicitetin

Në fillim ishte një iftar i shtruar në Radovisht, qytezë me dominancë maqedonase dhe pikërisht në ambiente shkollore, që trazoi opinionin e politikën bashkë.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit gjobiti shkollën dhe drejtoreshën e saj, maqedonase po ashtu për shkelje të sekularizmit, ndërkohë që zëra opozitarë të VMRO-së lëshuan dhe akuza ndaj LSDM-së në pushtet. Por tani vjen një rast i ngjashëm, me kahje të kundërta politike dhe sërish me elemenin “shkollë” në mes.

Është kreu i komunës së Petrovecit në Shkup, i ardhur nga VMRO, ai që organizoi një iftar, duke u sulmuar më pas nga LSDM.

Kjo e fundit ka publikuar fotografi të ftesave të Borçe Mitevskit për banorët e kësaj komune ku shkruhet: “Ftoheni për iftar në hapësirat e shkollës fillore “Bashkim Vëllazërimi”.

“Është mirë që kryetari Mitevski ka shprehur dëshirë që të respekton traditën e bashkëqytetarëve tanë nga religjioni islam, kjo është për t’u përshëndetur. Por, nëse kjo që shohim në ftesa është e vërtetë, ua bëjmë me dije se kjo është e papërshtatshme dhe e kundërligjshme që të organizohet në shkollë”, thuhet në reagim.

Nga aty thonë se parimet e sekularizmit dhe normat ligjore për ndalesë të çfarëdolloj organizimi fetar nëpër shkolla, patjetër duhet respektuar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Petrovecit, Borçe Mitevski. Ai në një deklaratë për portalin tesheshi.com ka sqaruar se si pasojë e motit jo të favorshëm dhe në mungesë të hapësirave për organizim të një iftari madhështor, zgjodhi hapësirat e objektit shkollor.

“Unë jam njëri ndër të vetmit kryetar të komunave në Maqedoni i cili gjashtë vite me rradhë organizoj iftar për komunitetin musliman të komunës së Petrovecit. Këtë vit për dallim nga vitet tjera kam dërguar ftesa thuajse të gjitha shtëpive me ç’rast kemi pasur mbi 350 mysafirë. Nga pamundësia që si pasojë e motit të rënduar dhe reshjeve të shiut, u detyruam që iftarin ta mbajmë në hapësirat e objektit shkollor”, tha Mitevski.

Ai shton se këtu nuk sheh asgjë në kundërshtim me ligjin, pasi bëhet fjalë për një darkë për hir të respektit të komunitetit musliman si banorë të respektueshëm të kësaj komune.

“Në iftar nuk ka pas prezent ndonjë hoxhë i cili kryen rite fetare, por thjesht kanë qenë të grumbulluar dhe të bashkuar komuniteti musliman për iftar si shenjë respekti nga ana e komunës sonë. Nuk e kuptoj reagimin e kundërshtarëve tanë politikë lidhur me këtë organizim, këtu nuk ka pasur asnjë qëllim të keq. Përveç tjerash në asnjë dokument zyrtar nuk shkruan se ndalohet organizimi i iftarit në objekte shkollore”, përfundon Mitevski. /tesheshi.com/

 

Related posts