Tetova nën genocid ekologjik nga djegia e plehrave, Teuta Arifit i përmendet burgu dhe zgjedhjet

Nga Mensur Krasniqi

Qytetarët e Tetovës ngjajnë sikur të jenë të dënuar të jetojnë nën një ambient me ajër të ndotur. Ishte fillimisht fabrika e metalurgjisë “Jugohromi” ndotësi më i madh i këtij qyteti si pasojë e funksionimit të saj pavendosjen e filtrave. Mirëpo tani që kjo fabrikë ka pushuar veprimtarinë e saj, pas protestave të mëdha të qytetarëve, është paraqitur një ndotës i ri. Bëhet fjalë për deponinë e qytetit të Tetovës, pra vendgrumbullimin e plehrave.

Ndonëse për një periudhë të gjatë komuna e Tetovës ka qenë e paralajmëruar nga sektori civil për rrezikshmërinë e deponisë, ajo është treguar e shurdhër. Dhe ja që sot, pikërisht në deponinë e qytetit ka shpërthyer një zjarr i madh, me ç‘rast ka rrezikuar edhe shtëpitë përreth si dhe fabrikat.

Flakët kanë përfshirë gjithë deponinë dhe linjën e tensionit të lartë që kalon siper kësaj deponie.

Nga organizata joqeveritare për ndotjen e mjedisit jetësor “Eco Guerilla”, është akuzuar kryetarja e komunës Teuta Arifi, si përgjegjëse për shkaktimin e gjenocidit ekologjik dhe helmim të qytetarëve.

“Sot Deponia e Egër e Tetovës ka marrë flakë dhe janë djegur tonelata me mbeturina nga më të ndryshmet. Pavarësisht se si është ndezur zjarri, ka qenë e qëllimshme, apo si pasojë e ndonjë reakcioni kimik, nuk duhet të harrojmë se është me rëndësi të kujtohet PSE ATO PLEHRA JANË AKOMA në hyrje të qytetit, dhe pse është lënë “material për t’u djegur” aq afër qytetit tonë.
Tymi që ka mbuluar sot pjesë të mëdha të Tetovës përmban llojlloj helmesh të cilat rrezikojnë shëndetin e gjithsecilit, prandaj mundohuni që të kufizoni lëvizjet e panevojshme. Tymi kancerogjen nuk zgjedh kë helmon.
Në ndërkohë Eco Guerilla po shikon mundësitë ligjore që të ngrejë padi kundër autoriteteve përgjegjëse për këtë gjenocid ekologjik dhe helmim që i bëhet qytetarëve të Tetovës. Ky turp dhe ky tentim për vrasje masive duhet dënuar me të gjitha termat, por edhe me ligj duhet krerët e instuticioneve përkatëse të mbajnë përgjegjësi personale, profesionale dhe të përfundojnë në burg. Neni 218 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë parasheh burg prej 4 deri 10 vite për këtë krim.

Ndotja e mjedisit jetësor dhe natyrës neni 218

Ai i cili me mospërmbajtjen e dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe përparimin e mjedisit jetësorë do të ndot ajrin, ujin, tokën në sasi më të madhe ose më të lartë dhe me të do të shkaktojë rrezik për jetën ose shëndetin e njerëzve apo dëmtim botës bimore dhe shtazore në përmasa më të mëdha, do të dënohet me burg prej 4 deri në 10 vite”, ka shkruar në rrjetin social facebook, Arianit Xhaferi, kryetar i “Eco Guerillës”.

Si banor i Tetovës, por edhe në cilësinë e anëtarit të Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, për ndotjen e ambientit jetësor ka reaguar edhe Adnan Azizi.

Ai kritikon autoritetet përgjegjëse, pasi sipas tij po tallen dhe përbuzin qytetarët të cilët ua kishin besuar votën për një jetë më të mirë dhe jo për ti helmuar. Përveç tjerash, Azizi propozoi që kryetares Arifi t’i ndërtohet një përmendore nga mbeturinat.

“I helmuat shqiptarët o idiota!
Pasi që qytetet shqiptare i shndërruan në varre masive për hedhjen e mbeturinave, kryetarët e deponive të egra dështimet e veta mundohen ti mbulojnë me arsyetime banale, kinse dikush nga zilia për deponitë e ngritura në menyrë artistike në çdo vendëbanim shqiptar për t’ua prishur bukurinë u’a venë zjarrin.
Përbuzja dhe tallja juaj me qytetarët kalon çdo kufi. Ju meritoni nga një permendore nga mbeturinat, asgjë më tepër.
P S
Nëse do u funksiononte shteti ligjor i së drejtës, ju duhet të ishit në burg për helmimin që u a bëni qytetarëve, herë me Jugohromin, herë me deponitë”,
shkroi në facebook, Adnan Azizi.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale në Maqedoni pritet të mbahen më 15 tetor të këtij viti, ndërsa Teuta Arifi pretendon mandatin e dytë.

Arianit Xhaferi nga Eco Guerila ka një përgjigje edhe për kandidaturën e saj.

“Një deponi nuk janë në gjendje ta pastrojnë… bravo Komuna e Tetovës. Ua kthejmë pas 2 muajsh”, ka shkruar Xhaferi në facebook. /tesheshi.com/