Auto Dak
Auto Dak

“Tërmet” në Prokurori: Shkarkohet kreu i Krimeve të rënda Eugen Beci

Me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla është shkarkuar nga detyra Prokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci. Në krye të prokurorisë së Krimeve të Rënda është emëruar Adnan Xholi. Më herët Xholi mbante postin e drejtorit të hetimit të Krimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.

Dyshimet e Prokurorisë për përfshirje të personave që janë pjesë në administratën shtetërore, në disa ngjarje specifike kriminale në fillim të vitit 2015, ka sjellë edhe ndryshimet e para në radhët e organit të akuzës.

Gjatë një takimi të mbajtur në Prokurori, Adriatik Llalla ka urdhëruar shkarkimin e Eugent Becit nga posti i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke e ulur atë në detyrë dhe e vendosur në krye të Prokurorisë së Elbasanit.

Në vend të tij është komanduar në këtë pozicion Adnan Xholi, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Sakaq, ish-Kryeprokurori i Elbasanit Gent Osmani, do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Deri më tani nuk dihet për cilat ngjarje bëhet fjalë në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme, por këto ndryshime vijnë në një moment delikat ku sapo kanë nisur hetimet për dosjen Doshi.

Sipas Prokurorisë, pas disa hetimeve të suksesshme gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën.

Në këtë kontekst, organi i akuzës thekson se ka dyshime që në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore.

Dhe për të luftuar këto ngjarje, Kryeprokurori Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj organit të akuzës, me qëllim evidentimin, hetimin dhe dërgimin para drejtësisë të çdo shtetasi, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta.

Ndërkohë, dy orë para publikimit të vendimit të Prokurorisë mësohet se ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë në zyrën e Presidentit të Republikës.

Ora 13:52 Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme
Pas disa hetimeve të suksesshme nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën.

Në një takim të zhvilluar ditën e Mërkurë (dt. 04.03.2015) me stafin e Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Llalla u shpreh se, në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore.

Për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, z. Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj, të cilat, në vlerësimin e tij janë dëshmi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe me mbështetjen konkrete të partnerëve ndërkombëtarë, po angazhohet maksimalisht për të evidentuar, hetuar dhe dërguar para drejtësisë çdo shtetas, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta.

Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Eugen Beçi, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion z. Adnan Xholi, i cili aktualisht është Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Beçi komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkese të theksuar hetimore. Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda.

.

auto pjese dak

Related posts